Shumë njerëz fokusohen te aktivitetet kardio si ecja, vrapi apo çiklizmi për të ruajtur shëndetin dhe për të zgjatur jetën. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se stërvitja e forcës është po aq e rëndësishme, pasi ndihmon që vitet e mëvonshme të jetës të kalohen me më shumë pavarësi, energji dhe cilësi.
Sipas studiuesve, ushtrimet e rezistencës ose të forcës janë “vëllai i neglizhuar” i aktivitetit fizik, megjithëse përfitimet e tyre janë të shumta. Mjaftojnë dy seanca në javë nga 20 deri në 30 minuta, me ushtrime si ulje-ngritjet nga karrigia, squats, lunges, pompa, plank apo ecja duke mbajtur pesha.
Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të frekuentohet palestra për të nisur stërvitjen e forcës. Shumë ushtrime mund të realizohen në shtëpi duke përdorur peshën e trupit ose objekte të zakonshme si shishet e ujit dhe konservat.
Studimet tregojnë se vetëm 30-60 minuta ushtrime për forcimin e muskujve në javë lidhen me një ulje prej 10-17% të rrezikut të vdekjes së parakohshme. Ndërsa kombinimi i stërvitjes së forcës me aktivitetet kardio mund të ulë këtë rrezik deri në 58%.
Përfitimet nuk kufizohen vetëm te shëndeti fizik. Stërvitja e forcës ndihmon në ruajtjen e masës muskulore me kalimin e viteve, përmirëson funksionimin e përditshëm, qëndrimin e trupit dhe shëndetin mendor. Ekspertët e krahasojnë atë me një “investim për të ardhmen”, që ndihmon organizmin të përballojë më mirë plakjen, sëmundjet apo dëmtimet.






















