Shtetet e Bashkuara po përgatiten të reduktojnë praninë e tyre ajrore në Izrael, duke planifikuar tërheqjen e rreth 20% të avionëve furnizues me karburant të vendosur në aeroportin Ben Gurion. Lëvizja vjen pas arritjes së një marrëveshjeje kornizë mes Uashingtonit dhe Teheranit, e cila synon uljen e tensioneve dhe përfundimin e konfliktit mes dy vendeve.
Sipas raportimeve, aktualisht në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Izraelit ndodhen rreth 72 avionë furnizues amerikanë, të përdorur për mbështetjen e operacioneve ajrore dhe furnizimin në ajër të avionëve ushtarakë. Prania e tyre ka zënë një pjesë të konsiderueshme të kapacitetit të parkimit në aeroport.
Burime mediatike bëjnë me dije se tërheqja e një pjese të flotës mund të interpretohet si një sinjal i uljes së tensioneve në rajon pas zhvillimeve të fundit diplomatike. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse avionët do të largohen plotësisht nga Izraeli apo do të zhvendosen në baza të tjera ushtarake brenda vendit.
Ky ripozicionim vjen në kuadër të rishikimit të pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA synon të ruajë gatishmërinë strategjike duke mbështetur njëkohësisht përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rajon.






















