
Liderët e vendeve të G7 kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një “zhvillim të rëndësishëm” dhe një “mundësi” për të parandaluar pajisjen e Teheranit me armë bërthamore.
Në një deklaratë të përbashkët, krerët e shteteve më të industrializuara të botës shprehën mbështetjen e tyre për marrëveshjen dhe theksuan se janë të gatshëm të kontribuojnë në zbatimin e saj.
Liderët e G7 kërkuan gjithashtu që lundrimi ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit të zhvillohet pa kufizime dhe pa tarifa shtesë, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të kësaj rruge detare për tregtinë globale dhe furnizimin me energji.
Ata deklaruan se mbështesin fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje diplomatike gjithëpërfshirëse, e cila do të shoqërojë zbatimin e paktit dhe do të kontribuojë në paqen dhe sigurinë afatgjatë në Lindjen e Mesme.
Sa i përket Libanit, liderët e G7 shprehën mbështetjen e tyre për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, si edhe për përpjekjet e autoriteteve libaneze për çarmatimin e Hezbollahut.
Në lidhje me situatën në Palestinë, ata u angazhuan të përshpejtojnë ndihmën humanitare dhe procesin e rindërtimit në Rripin e Gazës, duke mbështetur njëkohësisht zbatimin e shpejtë të masave politike dhe të sigurisë. Deklarata përfshin gjithashtu një thirrje për ndalimin e dhunës në Bregun Perëndimor.






















