
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar për herë të parë pas memorandumit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar se ai dhe presidenti amerikan Donald Trump nuk janë gjithmonë në një linjë për çdo çështje.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën në mbrëmje, Netanyahu deklaroi se përgjegjësia e tij kryesore mbetet siguria e Izraelit dhe se vendimet në këtë drejtim duhet të merren me mençuri dhe kujdes.
“Me ose pa një marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore, as sot dhe as nesër. Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh ai.
Netanyahu theksoi se lufta ende nuk ka përfunduar dhe se Izraeli duhet të mbetet vigjilent, i fortë dhe i vendosur për të mbrojtur interesat e tij të sigurisë.
Ai bëri të qartë gjithashtu se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Libani jugor, Gaza apo Siria, duke deklaruar se forcat izraelite do të qëndrojnë në zonat e sigurisë për aq kohë sa do të konsiderohet e nevojshme.
I pyetur për përmbajtjen e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit, Netanyahu pranoi se ende ka paqartësi.
“Ende nuk e dimë se çfarë do të jetë marrëveshja”, tha ai.
Duke komentuar raportet me Trumpin, kryeministri izraelit nënvizoi marrëdhënien e gjatë që ka me presidentin amerikan, ndërsa shtoi se menaxhimi i çështjeve të tilla kërkon përvojë dhe njohje të thellë të politikës amerikane.
“Besoj se po e bëj këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Netanyahu.






















