Policia në Poloni po heton vrasjen e një artisti rus dhe kritik të presidentit Vladimir Putin, i cili u gjet i vrarë të hënën në qytetin Biała Podlaska, pranë kufirit me Bjellorusinë. Sipas autoriteteve, 44-vjeçari, i njohur me emrin artistik Semyon Skrepetsky (Robert Kuzovkov), u qëllua disa herë në një parking makinash dhe vdiq në vendngjarje. Ai ishte i njohur për karikaturat e tij satirike kundër liderëve si Putin, Alexander Lukashenko dhe Ramzan Kadyrov.
Prokuroria polake tha se autori i dyshuar iu afrua viktimës dhe qëlloi disa herë, ndërsa më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Në vendngjarje u gjetën gëzhoja dhe një plumb 9mm.
Autoritetet kanë ndaluar dy shtetas bjellorusë pranë konsullatës së Bjellorusisë në qytet, ndërsa po hetohet roli i tyre i mundshëm në ngjarje. Skrepetsky jetonte në Poloni që prej vitit 2021 dhe ishte aktiv në protesta kundër qeverisë ruse, përfshirë edhe pjesëmarrjen në një protestë në Berlin më 12 qershor.






















