Ruben Amorim është emëruar trajneri i ri i Milanit, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij pas largimit nga Manchester United në janar.
Tekniku portugez do të transferohet në Serie A për të marrë drejtimin e kuqezinjve, të cilët e mbyllën sezonin e kaluar në vendin e pestë në kampionat.
“Në karrierën time ka ambicie që të mbeten gjithmonë me ty dhe drejtimi i Milan ka qenë gjithmonë njëra prej tyre”, deklaroi Amorim për faqen zyrtare të klubit.
“E di saktësisht çfarë përfaqëson ky klub: Histori, prestigj dhe një tifozëri të jashtëzakonshme në mbarë botën. Është një sfidë që e pranoj me krenari dhe entuziazëm, plotësisht i vetëdijshëm për atë që përfaqësojnë këto ngjyra. Mezi pres të filloj dhe të përjetoj çdo ditë pasionin që e udhëheq AC Milan”, shtoi ai.
Milani vendosi t’i besojë Amorimit pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit në fund të sezonit 2025-2026, kur skuadra dështoi të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve, duke e mbyllur Serie A në pozicionin e pestë.
Karriera e 41-vjeçarit si trajner nisi në Portugali, ku ai drejtoi Casa Pian, Bragën dhe Sportingun, përpara se të kalonte në stolin e Manchester United në “Old Trafford”.
Megjithatë, aventura e tij në Angli zgjati vetëm 14 muaj, pasi u shkarkua në mesin e sezonit të kaluar. Fillimisht, drejtimin e ekipit e mori përkohësisht Michael Carrick, i cili më pas u konfirmua në detyrë.
Një përballje interesante e pret Amorimin edhe gjatë përgatitjeve verore, pasi Milani do të ndeshet me Manchester United më 15 gusht në një miqësore para sezonit që do të zhvillohet në Poloni.






















