Ish-mesfushori i njohur gjerman, Sami Khedira, do të rikthehet te Real Madridi, kësaj radhe në një rol të ri si pjesë e stafit teknik të klubit madrilen.
Sipas raportimeve të ekspertit të transferimeve Fabrizio Romano, marrëveshja është finalizuar dhe Khedira pritet të nisë detyrën e tij të re nga muaji korrik, duke iu bashkuar trajnerit portugez Jose Mourinho si ndihmës.
Mësohet se ka qenë vetë Mourinho ai që ka kontaktuar personalisht ish-reprezentuesin gjerman, i cili ka pranuar menjëherë ofertën për t’u rikthyer në klubin ku përjetoi disa nga momentet më të suksesshme të karrierës së tij si futbollist.
Khedira ishte pjesë e Real Madridit nga viti 2010 deri në vitin 2015, periudhë gjatë së cilës fitoi disa trofe të rëndësishëm, përfshirë Ligën e Kampionëve, La Ligën dhe Kupën e Mbretit.
Rikthimi i tij në "Santiago Bernabéu" shënon një kapitull të ri në karrierën e 39-vjeçarit, këtë herë në pankinë, në krah të një prej trajnerëve me të cilët ka punuar më gjatë gjatë kohës si lojtar.






















