Sipas raportimeve të El Chiringuito TV, super-agjenti Jorge Mendes i ka prezantuar Real Madridit disa opsione të rëndësishme për afatin kalimtar të verës, teksa klubi spanjoll po planifikon një rindërtim të thellë të skuadrës.
Mes emrave të ofruar figurojnë dy lojtarë të Manchester Cityt, Ruben Dias dhe Matheus Nunes, si dhe mesfushori i West Hamit, Mateus Fernandes. Mendes, i cili ka marrëdhënie të ngushta me drejtuesit madrilenë, thuhet se po luan një rol aktiv në gjetjen e përforcimeve për “Los Blancos”.
Raportimet sugjerojnë se edhe trajneri i ardhshëm i Real Madridit, Jose Mourinho, i menaxhuar gjithashtu nga Mendes, ka dhënë miratimin për disa prej këtyre profileve, duke kërkuar një skuadër më konkurruese dhe me më shumë eksperiencë.
Një nga emrat që Mourinho vlerëson prej kohësh është Bernardo Silva, i cili megjithatë raportohet se ka zgjedhur Atletico Madridin si destinacionin e ardhshëm, duke e komplikuar një lëvizje të mundshme drejt “Bernabeu”.
Ruben Dias shihet si një nga objektivat kryesorë për repartin defensiv, ndërsa Matheus Nunes vlerësohet për fleksibilitetin dhe energjinë në mesfushë. Ndërkohë, Mateus Fernandes mbetet një profil i pëlqyer nga Mourinho, i cili ka kërkuar analizimin e mundësisë së transferimit të tij.
Paralelisht, Real Madridi po shqyrton edhe alternativa të tjera në mbrojtje, me emra si Nico Schlotterbeck, Riccardo Calafiori dhe Josko Gvardiol në listën e objektivave të mundshëm për sezonin e ardhshëm.






















