Situata financiare e Barcelonës vijon të mbetet shqetësuese, teksa klubi katalanas po përballet me vështirësi të reja në financimin e projektit të madh të rinovimit të stadiumit.
Sipas raportimeve të Catalunya Radio, Barcelona pritet të kërkojë një injeksion shtesë fondesh që varion nga 400 deri në 500 milionë euro. Kjo shumë do t’i shtohej 1.45 miliardë eurove që klubi kishte siguruar më herët nga grupi i investitorëve të udhëhequr nga Goldman Sachs.
Vonesat e konsiderueshme në punimet e ndërtimit, si dhe rritja e kostove përtej parashikimeve fillestare, kanë bërë që as “Spotify Camp Nou” dhe as “Palau Blaugrana” të mos përfundojnë brenda afateve të planifikuara.
Bordi drejtues, i kryesuar nga Joan Laporta, pritet ta paraqesë kërkesën urgjente për financim në Mbledhjen e Përgjithshme të ardhshme, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së një prej projekteve më ambicioze në historinë e klubit.
Kjo barrë e re ekonomike vjen në një periudhë delikate për Barcelonën, e cila paralelisht po punon edhe për përforcimin e skuadrës në merkaton e verës. Mes objektivave të përfolur të klubit katalanas mbetet edhe sulmuesi argjentinas Julian Alvarez.






















