Mbrojtësi austriak David Alaba është aktualisht pa skuadër, pas përfundimit të aventurës së tij pesëvjeçare me Real Madrid.
Sipas raportimeve të fundit, Alaba është në kërkim të një sfide të re në karrierë dhe një nga destinacionet e mundshme për të është Italia. Milan po shqyrton mundësinë e transferimit të mbrojtësit si lojtar i lirë.
Një lëvizje e tillë do ta ribashkonte 34-vjeçarin me Luka Modric, me të cilin ka ndarë dhomat e zhveshjes te Real Madridi dhe ka arritur sukseset më të mëdha në karrierë.
Gjatë pesë sezoneve me madrilenët, Alaba regjistroi 132 paraqitje dhe shënoi 5 gola, duke fituar një sërë trofesh të rëndësishëm. Në palmaresin e tij me Realin përfshihen dy Liga të Kampionëve, dy tituj të La Ligës, Kupa e Mbretit, Botërori i Klubeve, si dhe Superkupa e Spanjës dhe Superkupa e Evropës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Milani do të konkretizojë interesimin dhe nëse Alaba do të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij në Serie A.






















