Roberto Mancini është shumë pranë rikthimit në stolin e Kombëtares së Italisë, pas kontakteve pozitive të zhvilluara në 48 orët e fundit me Federatën Italiane e Futbollit.
Sipas raportimeve të ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, Mancini ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer prej disa javësh dhe tashmë pret vetëm miratimin përfundimtar nga federata për të nisur mandatin e tij të dytë në krye të “Azzurrëve”.
Trajneri italian kishte udhëhequr Italinë drejt triumfit në UEFA Euro 2020, përpara se të largohej në vitin 2023 për të marrë drejtimin e Arabisë Saudite, një vendim që shkaktoi reagime të shumta në Itali.
Në garë për postin mbetet edhe Antonio Conte, megjithatë Mancini konsiderohet aktualisht favoriti kryesor për të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane.
Pas dështimit për t’u kualifikuar në një tjetër Kupë Bote, Federata Italiane synon një projekt afatgjatë për rindërtimin e skuadrës kombëtare, duke i dhënë përparësi stabilitetit dhe vazhdimësisë.
Përvoja e Mancinit dhe njohja e thellë e futbollit italian e bëjnë atë një nga kandidatët më të përshtatshëm për këtë rol. Objektivat kryesore të projektit të ri janë kualifikimi dhe paraqitja dinjitoze në EURO 2028 dhe në Botërorin 2030, kompeticione që pritet të përcaktojnë të ardhmen e Kombëtares italiane në vitet e ardhshme.






















