Kupa e Botës 2026 pritet të mbledhë jo vetëm disa nga futbollistët më të talentuar të planetit, por edhe emrat më të pasur në historinë e sportit. Në krye të kësaj liste qëndron Cristiano Ronaldo, i cili vazhdon të dominojë edhe në aspektin financiar.
Ylli portugez renditet si futbollisti më i pasur i turneut, me një pasuri të vlerësuar në rreth 1.2 miliardë euro, duke qenë lojtari i vetëm pjesëmarrës që ka kaluar shifrën e një miliardë eurove.
Pas Ronaldos vjen rivali i tij i përhershëm, Lionel Messi, me një pasuri prej 868 milionë eurosh. Podiumi kompletohet nga Neymar, i cili zotëron një pasuri të vlerësuar në 391 milionë euro.
Në vendin e katërt renditet Kylian Mbappe me 218 milionë euro, ndërsa pesëshen e parë e mbyll Harry Kane me 129 milionë euro.
Mohamed Salah pozicionohet i gjashti me 122 milionë euro, i ndjekur nga Son Heung-min me 87 milionë euro dhe Riyad Mahrez me 74 milionë euro.
Erling Haaland, pavarësisht se konsiderohet një nga futbollistët më të mirë të brezit të tij, renditet i nënti me 69 milionë euro pasuri, ndërsa Top 10-shen e mbyll James Rodriguez, i cili ka grumbulluar po ashtu 69 milionë euro.
Renditja tregon se Botërori 2026 nuk do të jetë vetëm një garë për trofeun më prestigjioz të futbollit, por edhe një skenë ku do të jenë të pranishëm disa prej sportistëve më të pasur dhe më të njohur në botë.






















