Jose Mourinho po vazhdon ndryshimet e thella në skuadrën e Real Madrid, duke u fokusuar këtë herë te reparti defensiv, ku priten lëvizje të tjera të rëndësishme gjatë verës.
Mbrojtja e klubit madrilen ka pësuar tashmë ndryshime me afrimet e Marc Cucurella, Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konate, por trajneri portugez nuk duket ende i kënaqur me ekuilibrin e repartit.
Sipas gazetarit Miguel Serrano, objektivi kryesor i Mourinho-s për qendrën e mbrojtjes është Alessandro Bastoni, mbrojtësi i Inter Milan, i konsideruar një nga më të mirët në Europë.
27-vjeçari ka qenë më herët edhe në radarin e Barcelonës, por interesimi i katalanasve është zbehur me kalimin e kohës.
Megjithatë, transferimi i tij mbetet i vështirë, pasi drejtuesit e Interit kanë bërë të qartë se nuk duan të humbasin një nga lojtarët kyç të skuadrës. Presidenti Giuseppe Marotta ka deklaruar se Bastoni është i lumtur në klub dhe nuk është në shitje.
Pavarësisht kësaj, Real Madridi mbetet i interesuar dhe nuk përjashtohet një ofertë e rëndësishme në javët në vijim. Sipas vlerësimeve, kartoni i Bastonit kap shifrën mes 50 dhe 70 milionë euro, një shumë që nuk përbën problem për klubin spanjoll nëse Mourinho e bën transferimin prioritet.






















