Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mori pjesë në samitin e G7-ës në Evian, Francë, ku zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan, Donald Trump.
Fotografitë e publikuara nga Presidenca ukrainase i tregojnë dy liderët pranë njëri-tjetrit në tryezën e samitit, ndërsa në një tjetër imazh shfaqet edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me Zelenskyn dhe Trumpin.
Më herët, presidenti francez Emmanuel Macron, në cilësinë e organizatorit të samitit, mirëpriti liderët pjesëmarrës në takimin e vendeve të G7-ës.
Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Trumpit pas disa muajsh. Pas përplasjes së tyre të fortë në Shtëpinë e Bardhë në shkurt të vitit 2025, kontaktet e mëvonshme mes dy liderëve kanë qenë më të rezervuara, përfshirë takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe atë në Vatikan gjatë funeralit të Papa Françeskut.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky e cilësoi konstruktiv diskutimin mes liderëve të G7-ës dhe Ukrainës, duke falënderuar homologët e tij për mbështetjen dhe për propozimet e paraqitura.
“Prioritetet janë të qarta: më shumë raketa për mbrojtjen ajrore, licenca për prodhimin e tyre, një paketë mbështetjeje për dimrin dhe rritje e presionit ndaj Rusisë. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të jenë të gatshme të ofrojnë mbështetje në të gjitha këto fusha veprimi. Është jetike që gjithçka që është diskutuar të zbatohet. Rusia duhet të kuptojë se lufta e saj nuk do të pranohet kurrë. Faleminderit të gjithëve që po ndihmojnë”, shkroi Zelensky.
Sipas presidentit ukrainas, diskutimet u fokusuan te forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës, mbështetja për periudhën e dimrit dhe shtimi i presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë, me synimin për ta detyruar Moskën të angazhohet në një proces paqeje.






















