Politika 27 April 2025, 10:04 Nga VNA

Zgjohet Celibashi. Sqaron emigrantët se si mund të shpejtojnë procesin e votimit

Ndaje në Whatsapp
Zgjohet Celibashi. Sqaron emigrantët se si mund të shpejtojnë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më në fund angazhoi stafin e KQZ që t’u shpjegojë emigrantëve të Greqisë se si ata duhet të veprojnë për të përshpejtuar marrjen dhe dorëzimin e zarfeve të votave.

Nga KQZ dje u shpërndanë 2 njoftime!

Njëri i detajuar për votuesit nga Greqia dhe një tjetër për votuesit nga kudo, që njoftoheshin se ku duhet të raportonin në rast problemesh lidhur me postën.

Kjo nuk është pak nëse konsiderojmë se deri dje në mëngjes gjithçka për Celibashin po shkonte mirë. Për gjithë të tjerët po shkonte keq dhe shumë keq në fakt, por vlerësimi në këtë rast është subjektiv dhe lidhet me pritshmëritë e gjithsecilit votues nga diaspora.

Kështu ndërsa procesi po shkonte ngadalë, që posta po funksiononte keq, ose nuk po funksiononte fare ishte shqetësim për këdo të interesuar për zgjedhjet.

Por jo për administratorin kryesor te tyre. Për Iirian Celibashin procesi po shkonte sipas planit ndaj dhe ishte i qetë dhe shfrytëzonte daljet e ngadalta në media për të sqaruar emigrantët se në gjykimin e tij, deklarimi, filmimi ose fotografimi i votës ishte vepër penale.

Ky ish meraku i vetëm i Komisionerit deri dje në mëngjes.

Çfarë ndodhi nga mëngjesi deri në darkë dihet.

Disa media, kryesisht ato që nuk janë në listën e marketingut të KQZ-së i dhanë zë shqetësimeve të emigrantëve për listën e gjatë të problematikave lidhur me dorëzimet e postës për votimin e emigrantëve dhe Celibashit ju prish rehatia.

Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Damjan Gjiknuri, kishte disa ditë që i kishte nisur një letër shumë të sjellshme Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me të cilën pasi e vlerësonte për kontributin e jashtëzakonshëm dhe historik në lidhje me votën e emigrantëve, i rreshtonte thatë edhe disa problematika të postës. Kaq delikat dhe me edukatë ishte Gjiknuri në tekstin e letrës së vet, saqë Celibashi me gjasë është ndalur vetëm te pjesa e parë me komplimente.

Ndryshe nuk shpjegohet dot pse rehatia e Komisionerit u prish vetëm dje pasdite.

Oerd Bylykbashi nga opozita ende nuk ka shkruar ende ndonjë letër e mbase kjo për shkak se ata emigrantë që po fotografojnë e filmojnë votën rezulton të kenë plotësuar kryqin tek numri 1. Ndaj Bylykbashi sic ndodh rëndom me PD-në që është fituese e zgjedhjeve deri para se të shpallet rezultati, nuk ngacmon se ka hall se Celibashi merr më seriozisht ankesën e tij sesa të Gjiknurit.

Lexoni në vijim njoftimin e djeshëm të dalë nga zyrat e KQZ.

Një gjë duket qartë! Opsioni që emigranti duhej të rrinte në shtëpi pa punë për të pritur postën ka rënë. Deri dje Celibashi ka informuar dhe sqaruar vetëm pjesërisht, duke zgjedhur atë opsion që i shërbente qetësisë së tij. Kur kanë mbetur vetëm 2 javë nga dita e votimit, Celibashi filloi të sqarojë më shumë sesa i kishte lejuar vetes deri dje.

Njoftimi i KQZ

“Informacion për shqiptarët e regjistruar si votues nga jashtë nga Greqia për zgjedhjet e 11 Majit 2025. Lutemi ta shpërndani sa më shumë për miqtë tuaj. Ju është dërguar një njoftim i ri nga DHL në email ose në numrin e telefonit, me të dhënat e dorëzimit të zarfit të votimit. Postieri do të dorëzojë zarfin në adresën tuaj të deklaruar. Nëse nuk ndodheni në banesë në momentin e dorëzimit, zarfi do të dërgohet në pikën më të afërt të DHL.

Në disa zona do të vijojë shpërndarja e zarfeve edhe gjatë fundjavës (të shtunave dhe të dielave), me orar të zgjeruar. Shumica e pikave të shërbimit të DHL do të jenë të hapura të shtunën, më 26 prill, me orar të zgjatur pune. Njoftimet me email/mesazh, sipas të dhënave të disponueshme, u janë dërguar sot të gjitha dërgesave që nuk janë dorëzuar ende.

Lidhur me oraret e hapjes

Ju lutemi kini parasysh se çdo pikë shërbimi ka orare të ndryshme pune, megjithatë shumica e tyre janë të hapura nga ora 09:00 deri në 18:00. Pikat e shërbimit të DHL në Athinë do të jenë hapur nesër, datë 26 prill 2025, si vijon:

• Rruga Patision (Qendra e qytetit): 09:00 – 15:00

• Rruga Filellinon (Qendra e qytetit): 09:00 – 15:00

• Pire: 09:00 – 15:00

• Rruga Alimos: 09:00 – 15:00

• Glifada: 09:00 – 15:00

• Nea Smyrni: 09:00 – 15:00

Pikat e shërbimit në pjesën tjetër të Greqisë:

• Selanik (Rruga Vasilissis Olgas): 09:00 – 15:00

• Selanik (Rruga Polytechniou): 09:00 – 15:00

• Larisa: 09:00 – 15:00

• Patra (Rruga Agiou Andrea): 09:00 – 15:00

• Iraklio: 09:00 – 15:00

• Hania: 09:00 – 15:00

Nëse keni marrë njoftim, por nuk keni marrë ende zarfin:

Lutemi kontaktoni zyrën qendrore të DHL në numrin +30 210 989 0000, duke përdorur numrin e identifikimit të zarfit (“αριθμός φορτωτικής”), ose kontaktoni numrat e zyrave më të afërta me adresën tuaj, të cilët i keni marrë sot, datë 25 prill, me mesazh në celular.

Dorëzimi i Zarfit të Votimit

• Mund të kërkoni që DHL të vijë në banesën tuaj për të tërhequr zarfin; ose

• Mund ta dorëzoni personalisht në pikën më të afërt të DHL.”

Video

Tërmeti i fuqishëm 7.4 ballë në Kolumbi ka shkaktuar panik edhe në Aeroportin e Pereira-s, ku një Airbus A320 u trondit fuqishëm në pistë për 46 sekonda përpara se të ngrihej pa pasoja. Pavarësisht kësaj, pasojat në qytet janë tragjike: shembja e çatisë së terminalit i mori jetën 3 personave, ndërsa bilanci i përgjithshëm në Pereira ka arritur në 66 viktimë nga shembja e dhjetëra ndërtesave.

Një festim goli u kthye në një moment të frikshëm për futbollistin brazilian Jacy Maranhão, gjatë ndeshjes mes Coritiba dhe Chapecoense në kampionatin brazilian. Mbrojtësi 29-vjeçar shënoi një gol në pjesën e parë dhe, në entuziazëm, vrapoi drejt tifozëve për ta festuar. Ai kapërceu barrierat reklamuese, por përfundoi duke rënë në një tunel të hapur që çonte drejt dhomave të zhveshjes së skuadrës kundërshtare. Maranhão u ngrit nga tuneli me ndihmën e stafit, por pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës dhe u zëvendësua në pjesën e dytë. Ironia më e madhe ishte se goli që ai po festonte u anulua më vonë nga VAR-i për shkak të një faulli në aksion.

Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e fuqishme të shkaktuara nga tajfuni “Dolphin” kanë shkaktuar situata të rrezikshme në provincën Zhejiang të Kinës. Një kamion u përmbys në një parkim si pasojë e erërave të forta. Pamjet e filmuara nga dëshmitarët tregojnë momentin kur mjeti ngrihet nga toka dhe përmbyset nga fuqia e erës. Tajfuni “Dolphin” solli paralajmërime për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona. Sipas raportimeve, ai është cikloni tropikal më i fuqishëm që ka goditur Kinën këtë vit.

Një avion privat i tipit Hawker Beechcraft 400A është përplasur me një automjet shërbimi në aeroportin Milano-Linate, në Itali. Përplasja nuk shkaktoi të lënduar. Ngjarja solli disa vonesa në operimet e aeroportit, të cilat po rikthehen gradualisht në normalitet. Dy fluturime që po mbërrinin në Linate u devijuan drejt aeroporteve Orio al Serio dhe Milano-Malpensa.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme