Aleksander Ceferin do të rikandidojë për një mandat të katërt si president i UEFA-s. Slloveni 58-vjeçar e ka bërë të ditur vendimin e tij gjatë një takimi me krerët e 55 federatave anëtare të UEFA-s, të mbajtur në Berlin.
Vendimi i Ceferinit ishte i pritshëm, ndonëse bie ndesh me qëndrimin që ai kishte mbajtur më herët. Në shkurt të vitit 2024, presidenti i UEFA-s kishte deklaruar se nuk do të kërkonte një mandat të katërt.
Në atë kohë, Ceferin ishte përfshirë në një debat lidhur me ndryshimin e statutit të UEFA-s, i cili do t’i mundësonte atij të qëndronte edhe një mandat në krye të institucionit.
Megjithatë, gjatë muajve të fundit ishte rritur bindja se ai do të ndryshonte qëndrim dhe do të garonte sërish.
Ceferin, i cili u zgjodh për herë të parë president i UEFA-s në vitin 2016, tashmë pritet të synojë vazhdimin e drejtimit të futbollit evropian.
Ky zhvillim vjen në një periudhë të tensionuar mes UEFA-s dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. UEFA ka ndërmarrë hapa për të kundërshtuar disa prej planeve të FIFA-s dhe për të kërkuar një alternativë për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s.
Megjithatë, Ceferin ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë personalisht kundër Infantinos në zgjedhjet e FIFA-s, të cilat janë paraparë të mbahen në mars.
Në vend të kësaj, ai është i angazhuar për gjetjen e një kandidati rreth të cilit futbolli mund të bashkohet.






















