Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e fundit të Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit.
Teherani ia kishte përcjellë propozimin SHBA-së përmes ndërmjetësve, duke ofruar rihapjen e ngushticës për lundrimin tregtar brenda shtatë ditësh, nëse Uashingtoni do të përmbushte disa kushte të vendosura nga pala iraniane.
Sipas planit të paraqitur nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, SHBA-ja duhet të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të lehtësojë sanksionet ndaj shitjeve të naftës iraniane dhe të respektojë një armëpushim që do të përfshinte edhe Libanin. Sipas Teheranit, hapat e parë do të përfundonin brenda katër ose pesë ditësh, ndërsa Ngushtica e Hormuzit do të hapej në ditën e gjashtë. Në ditën e shtatë do të nisnin negociatat për një marrëveshje më të gjerë.
Trump e bëri të qartë të shtunën se nuk e pranon këtë formulë.
“Unë e refuzoj propozimin e tyre. Ata duan të bëjnë një marrëveshje për të hapur menjëherë ngushticën, sepse po humbasin rëndë. Edhe mua më pëlqen të bëj marrëveshje, por kjo marrëveshje nuk do të ishte e pranueshme”, u tha Trump gazetarëve.
Nga ana tjetër, Araghchi tha se Teherani ende pret një përgjigje zyrtare të SHBA-së përmes ndërmjetësve. Sipas tij, Irani e ka parë reagimin publik të Trumpit, por nuk ka marrë ende komunikimin formal nga pala amerikane.
Ministri iranian i Jashtëm deklaroi gjithashtu se kushtet e vendosura nga Teherani për rihapjen e Hormuzit nuk do të ndryshojnë. Ai tha se një zgjidhje e negociuar mbetet rruga e vetme për të dalë nga ngërçi.
Propozimi iranian është i ngjashëm me marrëveshjen e arritur mes dy vendeve në qershor, e cila më pas u rrëzua. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet një prej pikave kryesore të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit, pasi rruga ujore është një korridor jetik për transportin global të energjisë.
Për momentin, negociatat mbeten të pasigurta, ndërsa hapi i radhës pritet të jetë komunikimi zyrtar i SHBA-së përmes ndërmjetësve dhe reagimi i Teheranit ndaj tij.






















