
Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e Iranit për një armëpushim shtatëditor dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se pret që bombardimet amerikane ndaj Iranit të rifillojnë pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Lajmi është raportuar nga “The Wall Street Journal”, duke iu referuar zyrtarëve amerikanë.
Sipas raportimit, Teherani kishte propozuar një marrëveshje që parashikonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e negociatave për programin bërthamor iranian. Në këmbim, Irani kërkonte nga Uashingtoni heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se propozimi parashikonte një proces shtatëditor, në përfundim të të cilit do të rikthehej lundrimi normal në Ngushticën e Hormuzit dhe do të rinisnin bisedimet mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Megjithatë, sipas zyrtarëve të cituar nga “The Wall Street Journal”, administrata amerikane nuk ka ndërmend të heqë aktualisht bllokadën detare. Trump gjithashtu mbetet skeptik se Teherani do të pranonte kërkesat e tij lidhur me programin bërthamor iranian.
Ende nuk është e qartë se çfarë përmasash mund të kenë sulmet e mundshme amerikane pas zgjedhjeve të nëntorit. Sipas raportimit, Trump heziton të rikthehet në operacione të mëdha ushtarake, ndër të tjera për shkak të nevojës së SHBA-së për të ruajtur rezervat e municioneve për situata të tjera të mundshme.
Raportimi vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani vijojnë kontaktet përmes ndërmjetësve, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.






















