Papa Leo XIV ka mbërritur këtë të premte në Francë, duke nisur një vizitë apostolike katërditore që shënon rikthimin e një Pape në një vizitë zyrtare shtetërore në vend pas 18 vitesh.
Vizita, e cila zhvillohet nga 25 deri më 28 shtator, është e para e këtij niveli që prej udhëtimit të Papa Benediktit XVI në Paris dhe Lourdes në vitin 2008. Papa Leo XIV u prit në aeroportin Orly nga presidenti francez Emmanuel Macron, përpara se të niste një axhendë të ngjeshur me takime politike, fetare dhe sociale.
Ndalesa e parë institucionale ishte Pallati Élysée, ku Ati i Shenjtë zhvilloi një takim me Macron dhe më pas iu drejtua autoriteteve franceze, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe trupit diplomatik. Gjatë qëndrimit në Paris, Papa do të vizitojë gjithashtu selinë e UNESCO-s dhe katedralen Notre-Dame, ku do të kremtojë lutjen e mbrëmjes me klerin.
Një nga momentet kryesore të vizitës pritet të jetë mesha e së shtunës në Place de la Concorde. Rreth 600 mijë persona janë regjistruar për ceremoninë, e cila do të shtrihet përgjatë zonës së Champs-Élysées dhe pritet të kthehet në një nga grumbullimet më të mëdha të besimtarëve gjatë udhëtimit të Papës në Francë.
Mbrëmjen e së premtes, Papa Leo XIV do të marrë pjesë gjithashtu në një vigjilje lutjeje me të rinjtë në Stade de France, ndërsa autoritetet franceze kanë vendosur masa të shtuara sigurie në Paris dhe në qytetet e tjera të përfshira në itinerarin papnor.
Pas Parisit, Papa do të udhëtojë drejt Lourdes, një prej qendrave më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë. Atje do të kremtojë meshën e së dielës, do të takohet me peshkopët francezë, të sëmurët dhe komunitetin fetar. Vizita zhvillohet gjithashtu në një moment kur Kisha Katolike franceze vazhdon të përballet me pasojat e skandalit të abuzimeve seksuale nga pjesëtarë të klerit.
Udhëtimi përfundon të hënën në Metz, ku Papa Leo XIV do të marrë pjesë në një takim ndërfetar dhe në aktivitetin “Në rrënjët e Europës për paqe dhe unitet”, përpara meshës në Katedralen Saint-Étienne dhe kthimit në Romë.
Vizita konsiderohet veçanërisht simbolike për një Francë ku pesha tradicionale e katolicizmit është zbehur dhe laiciteti mbetet një nga parimet themelore të shtetit. Megjithatë, Kisha Katolike franceze po regjistron vitet e fundit një rritje të interesit, veçanërisht mes të rinjve dhe të rriturve që kërkojnë të pagëzohen.
Udhëtimi i Papa Leo XIV ndërthur kështu dimensionin fetar me mesazhe për Europën, paqen, dinjitetin njerëzor dhe sfidat e reja globale, duke përfshirë edhe zhvillimin dhe rregullimin e inteligjencës artificiale.






















