
Papa Leone XIV ka dhënë një mesazh të qartë në mbrojtje të lirisë së medias, pas tensioneve të fundit në Shtëpinë e Bardhë, ku administrata Trump ka tentuar të kufizojë aksesin e disa gazetarëve.
Në bordin e avionit papal, gjatë udhëtimit nga Roma drejt Parisit, një korrespondent i CNN e pyeti Papën për vështirësitë që disa media kanë hasur ditët e fundit me Shtëpinë e Bardhë. Papa, i lindur në Çikago, u përgjigj shkurt, por me domethënie:
“Jam shumë i lumtur që jeni të gjithë këtu. Mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë një mbulim të mirë gazetaresk dhe që ai të jetë kudo, për të gjithë.”
Gjatë përshëndetjes së shkurtër për mbi 80 gazetarët që e shoqëronin në fluturim, Leone XIV kërkoi gjithashtu ndjesë që nuk kishte mundur të mbante konferencë për shtyp gjatë kthimit nga Spanja, për shkak të një problemi teknik me avionin.
Papa foli edhe për inteligjencën artificiale, duke thënë se komisioni i Vatikanit është në kontakt me drejtues të mëdhenj të sektorit dhe se dialogu synon që IA të mos kthehet në kërcënim për njerëzimin, por në një mjet në shërbim të njeriut.
I pyetur për krizën në Ceuta, ku mijëra migrantë nga Maroku kanë tentuar të hyjnë në enklavën spanjolle, Papa tha në spanjisht se e ka ndjekur situatën që nga dita e parë dhe e quajti atë “një krizë vërtet humanitare”.
Në prag të vizitës në Francë, Leone XIV tha se mesazhi i tij kryesor do të jetë thirrja për paqe në botë.






















