Një krahasim i përdorur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, gjatë një aktiviteti politik në Formello, ka shkaktuar polemika në Itali. Duke folur për qëndrueshmërinë e aleancave politike, Tajani solli si shembull këshillën që do t’i jepte të birit për zgjedhjen e bashkëshortes.
Ai tha se do t’i sugjeronte të zgjidhte një grua “më pak të spikatur, por më të besueshme”, të cilën e përshkroi si nënë të mirë dhe besnike ndaj martesës. Tajani shtoi se ajo mund të mbante “funde pak më të gjata”, ndërsa për një grua më tërheqëse hodhi idenë se mund të kishte më shumë prirje për tradhti.
Fjalët e tij u kritikuan nga përfaqësuese të opozitës, të cilat i cilësuan si stereotipe për gratë. Në rrjetet sociale, disa gra iu përgjigjën duke publikuar fotografi me minifunde, ndërsa qarkulluan edhe imazhe satirike të Tajanit.
Për debatin reagoi edhe Konferenca Ipeshkvore Italiane, e cila bëri thirrje që gratë të shihen me respekt. Pas kritikave, Tajani kërkoi ndjesë ndaj atyre që ishin ndier të fyera, duke thënë se nuk kishte synuar t’i ofendonte gratë.






















