
Policia e Nju Jorkut arrestoi dhjetëra persona, mes tyre aktorë dhe politikanë, gjatë një proteste kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Mes të arrestuarve ishte aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Susan Sarandon, si dhe fituesja e çmimit “Emmy”, Hannah Einbinder. Në pranga përfunduan gjithashtu kandidatja demokrate për Kongres, Darializa Avila Chevalier, dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Chi Ossé.
Protesta u zhvillua përpara fjalimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe u organizua nga grupi “Jewish Voice for Peace”. Demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe kundër luftës dhe në mbështetje të Palestinës.
Sipas policisë, protestuesve iu kërkua të largoheshin pasi kishin bllokuar një kryqëzim pranë selisë së OKB-së. Një pjesë e tyre nuk iu bindën urdhrit dhe vijuan protestën të ulur në rrugë, çka solli ndërhyrjen e forcave të rendit dhe arrestimet.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, ku mbrojti veprimet e Izraelit në rajon. Dhjetëra delegatë u larguan nga salla ndërsa kryeministri izraelit nisi fjalën e tij.






















