Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar me habi ndaj njoftimit të Donald Trumpit për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se nuk ishte informuar më parë për një marrëveshje të tillë.
Në një bisedë telefonike me median amerikane Axios, Zelensky tha se Kievi është i gatshëm të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, nëse edhe Moska merr të njëjtin angazhim.
“Për mua është një lajm i ri. Por, nëse rusët janë dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do ta pranojë”, deklaroi ai.
Reagimi erdhi pasi Trump njoftoi në platformën Truth Social se të dyja palët kishin pranuar marrëveshjen dhe se armëpushimi hynte në fuqi menjëherë. Presidenti amerikan nuk dha hollësi për kohëzgjatjen apo mënyrën e monitorimit të tij.
Sipas TGCOM24, në momentin e raportimit, Kremlini nuk kishte reaguar zyrtarisht ndaj njoftimit. Për pasojë, mbeten të paqarta kushtet e marrëveshjes së njoftuar nga Trump dhe angazhimet konkrete të palëve.
Një armëpushim i tillë do të synonte ndalimin e goditjeve ndaj infrastrukturës së prodhimit dhe furnizimit me energji, e cila është sulmuar vazhdimisht gjatë luftës.
Ndërkohë, Zelensky iu përgjigj edhe thirrjeve të Trumpit për zgjedhje të reja presidenciale në Ukrainë. Në një intervistë për emisionin “This Week” të ABC-së, ai kërkoi një armëpushim të plotë prej 60 ditësh, që do të mundësonte organizimin e tyre.
“Ju lutem, thuajini Putinit, na jepni dy muaj, 60 ditë armëpushim të plotë, dhe ne do të organizojmë zgjedhjet”, u shpreh presidenti ukrainas, duke theksuar se vendimi për udhëheqjen e vendit i takon popullit të Ukrainës.






















