Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim ndaj disa rrjeteve televizive në SHBA, për të përcaktuar nëse kanë shkelur ligjet federale të konkurrencës pasi pezulluan për disa ditë mbulimin e përbashkët mediatik të presidentit Donald Trump.
Muajin e kaluar, pesë televizione ndërprenë përkohësisht mbulimin në kuadër të të ashtuquajturit press pool, pas vendimit të administratës Trump për t’u hequr akreditimin gazetarëve të CNN, MS Now dhe Politico. Në këtë sistem, gazetarët e përzgjedhur mbulojnë aktivitetet e presidentit dhe më pas ndajnë materialet e tyre me pjesën tjetër të mediave.
Departamenti i Drejtësisë u ka kërkuar rrjeteve ABC, CBS, CNN, NBC dhe Fox News të dorëzojnë komunikimet që lidhen me këtë vendim. Sipas autoriteteve, bojkotimi i përbashkët mund të përbëjë shkelje të ligjit Sherman, i cili ndalon praktikat monopoliste dhe marrëveshjet që kufizojnë konkurrencën.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë deklaroi se Divizioni i Antitrustit po zhvillon hetimet për të përcaktuar nëse organizatat mediatike kanë shkelur ligjet për konkurrencën. Rrjetet televizive nuk kanë komentuar ende publikisht mbi këtë çështje.
Trump u kishte ndaluar CNN, MS Now dhe Politico-s aksesin në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, duke i akuzuar këto media se publikonin “trillime ose gënjeshtra” për administratën e tij. Aksesi i tyre u rikthye më vonë, pas një vendimi gjyqësor.
Të tria organizatat mediatike kishin paditur administratën Trump, duke argumentuar se kufizimi i aksesit cenonte të drejtat e tyre sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane. Ky amendament ndalon qeverinë të kufizojë lirinë e shtypit dhe, sipas interpretimeve të gjykatave, e pengon atë të diskriminojë mediat për shkak të përmbajtjes së raportimeve të tyre.
Administrata Trump ka ndërmarrë disa veprime ligjore kundër mediave në SHBA, përfshirë padi që lidhen me raportimet për presidentin.
Në shkurt, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të merrte nën kontroll organizimin e press pool, grupit të gazetarëve që kanë akses te presidenti dhe që për më shumë se një shekull ishte administruar nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Po atë muaj, administrata ndërmori hapa për t’u ndaluar gazetarëve dhe fotografëve të Associated Press hyrjen në hapësira me akses të kufizuar, si Zyra Ovale dhe avioni presidencial Air Force One. Vendimi erdhi pasi agjencia vijoi të përdorte emërtimin “Gjiri i Meksikës”, në vend të “Gjiri i Amerikës”, të preferuar nga administrata Trump.
Associated Press ngriti padi kundër këtij vendimi, ndërsa çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.






















