Christa Pike, 50-vjeçarja e dënuar me vdekje në shtetin amerikan të Tennessee-t, e cila i mbijetoi një tentative ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës, ka dalë nga spitali dhe është rikthyer në burg. Lajmi është konfirmuar të shtunën, më 10 tetor, nga avokatët e saj. Pike është transferuar në Qendrën e Rehabilitimit Deborah K. Johnson, burgu i grave ku kishte qëndruar për rreth 30 vjet përpara tentativës së ekzekutimit.
Në një deklaratë me shkrim, avokatët e saj bënë të ditur se 50-vjeçarja ndodhet në gjendje rikuperimi dhe po vazhdon të marrë kujdes mjekësor edhe pas rikthimit në institucionin penitenciar.
“Ajo u është mirënjohëse ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë dhe personelit mjekësor për kujdesin e treguar në këto rrethana të jashtëzakonshme. Christa vazhdon të marrë trajtim mjekësor në burg dhe ne do të ndjekim nga afër procesin e rikuperimit të saj”, thuhet në deklaratën e avokatëve.
I mbijetoi dy dozave të substancës vdekjeprurëse
Christa Pike ishte shtruar në spital që prej 30 shtatorit 2026, pasi i mbijetoi tentativës së autoriteteve të Tennessee-t për ta ekzekutuar përmes injeksionit vdekjeprurës.
Gjatë procedurës së ekzekutimit, asaj iu administruan dy doza pentobarbitali, një substancë që përdoret për zbatimin e dënimit me vdekje në disa shtete amerikane. Megjithatë, pavarësisht administrimit të substancës, Pike mbijetoi. Gjendja e saj shëndetësore fillimisht ishte jashtëzakonisht e rëndë. Në një moment, ajo u vendos në ventilim mekanik për të mbështetur frymëmarrjen, ndërsa avokatët e saj nuk prisnin që të mbijetonte.
Por, në ditët që pasuan, 50-vjeçarja shfaqi shenja përmirësimi. Sipas përfaqësuesve ligjorë, ajo rifitoi vetëdijen, nisi të fliste dhe arriti të ecte me ndihmën e personelit mjekësor. Rasti i parë i dokumentuar i mbijetesës pas administrimit të injeksionit vdekjeprurës
Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje (Death Penalty Information Center), Christa Pike është personi i parë që ka mbijetuar pasi ka marrë substancat e përdorura gjatë një procedure ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën e zbatimit të dënimeve kapitale në Tennessee dhe sigurinë e procedurave që përdoren nga autoritetet. Departamenti i Burgjeve i Tennessee-t ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për shkaqet e dështimit të ekzekutimit.
Ekspertët mjekësorë dhe specialistët e procedurave të ekzekutimit po shqyrtojnë mundësinë që problemi të ketë lidhje me vendosjen e gabuar të linjave intravenoze.
Sipas kësaj hipoteze, substanca e administruar mund të jetë grumbulluar në indet përreth vendit të injektimit, në vend që të hynte drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut.
Në një dokument të paraqitur në gjykatë, avokatët e Pike deklaruan se, me sa duket, asnjë pjesëtar i ekipit përgjegjës për ekzekutimin nuk e kishte kuptuar gjatë procedurës se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet.
E dënuar me vdekje për vrasjen e një shoqeje të shkollës
Christa Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer, një shoqeje të saj të shkollës, në vitin 1995. Viktima ishte rrahur dhe goditur me thikë, ndërsa krimi kishte çuar në dënimin kapital të Pike. Pas rreth tri dekadash në burg, autoritetet e Tennessee-t tentuan të zbatonin dënimin më 30 shtator 2026, por procedura përfundoi pa shkaktuar vdekjen e saj. Ekzekutimi i dështuar ka rikthyer debatin mbi përdorimin e injeksioneve vdekjeprurëse dhe mënyrën se si autoritetet amerikane zbatojnë dënimet me vdekje. Ndërkohë, Christa Pike mbetet në burg, ku po vazhdon rikuperimin nën kujdesin e personelit mjekësor.






















