Të jesh një udhëtar i sjellshëm dhe i respektueshëm është më e rëndësishme se kurrë, por si mund të kërkosh diçka me mirësjellje në një gjuhë që nuk ka një fjalë të barasvlershme me shprehjen “ju lutem”?
Në një pastiçeri në Kopenhagë, mes radhës për të blerë feta keku me limon të pudrosura me sheqer, simite me kardamom dhe role me kanellë, një turist përballet me një vështirësi të papritur. Ai është gati të porosisë në gjuhën daneze, por zbulon se nuk ekziston një fjalë e vetme që përdoret në të njëjtën mënyrë si “please” në anglisht.
Si shumë udhëtarë, edhe ai është mësuar të mësojë disa shprehje bazë përpara se të vizitojë një vend të huaj, përshëndetjet, fjalët për po dhe jo, si dhe shprehjet “ju lutem” dhe “faleminderit”. Por kjo nuk funksionon njësoj në gjuhët e vendeve nordike, si danishtja, suedishtja, norvegjishtja, islandishtja dhe finlandishtja, ku mungon një fjalë e vetme që mbulon të gjitha përdorimet e shprehjes angleze “please”.
A do të thotë kjo se banorët e vendeve nordike janë më të drejtpërdrejtë, apo se ata e shprehin mirësjelljen në mënyra që vizitorët mund të mos i kuptojnë menjëherë? Për udhëtarët, të kuptuarit e këtyre dallimeve mund t’i bëjë ndërveprimet e përditshme shumë më të lehta.
Mirësjellja shprehet në mënyra të ndryshme
Sipas gjuhëtarit James Puchowski, studiues në Nynorsk Kultursentrum, Muzeu Norvegjez i Kulturës së Shkruar, kërkimi i një përkthimi të drejtpërdrejtë të fjalës “ju lutem” mund të mos jetë mënyra e duhur për ta kuptuar këtë dallim.
Në Danimarkë, për shembull, një klient mund të përdorë shprehjen ‘må jeg bede om’, që përkthehet afërsisht “a mund të kërkoj”, kur porosit një produkt në pastiçeri. Në Suedi, kërkesës mund t’i shtohet fjala ‘tack’, që do të thotë “faleminderit”. Ndërsa në Norvegji, mirësjellja mund të përcillet përmes intonacionit të zërit dhe një buzëqeshjeje.
Mësuesja e gjuhës daneze Daniela Hummelgren shpjegon se komunikimi i drejtpërdrejtë është pjesë e kulturës së rajonit. Sipas saj, efikasiteti vlerësohet dhe komunikimi përgjithësisht është i drejtpërdrejtë. Përpjekja për të qenë tepër formalë mund të perceptohet ndonjëherë si e bezdisshme, veçanërisht kur ngadalëson një proces të zakonshëm.
A do të thotë kjo se ata janë të pasjellshëm?
Puchowski i lidh këto dallime me mënyrën se si janë organizuar shoqëritë nordike. Në këto vende vlerësohet barazia dhe në komunikimin e përditshëm, dallimet mes njerëzve shprehen më pak përmes gjuhës.
Për shembull, format më formale të adresimit, si Herr dhe Frue, që përkthehen afërsisht “zotëri” dhe “zonjë”, janë larguar kryesisht nga përdorimi i përditshëm. Kjo pasqyron një kulturë ku njerëzit priren ta shohin veten si më të barabartë dhe më pak të përcaktuar nga klasa shoqërore.
Ky qëndrim lidhet shpesh me të ashtuquajturin Ligji i Jantes, një ide e përhapur në Skandinavi, sipas së cilës askush nuk duhet ta konsiderojë veten më të veçantë apo më të rëndësishëm se të tjerët.
Në ndërveprimet e përditshme, kjo mund të nënkuptojë më pak theks te shprehjet që sinjalizojnë nënshtrim ose respekt të tepruar ndaj statusit të tjetrit. Mirësjellja mund të varet më shumë nga mënyra e formulimit të kërkesës, toni i zërit dhe konteksti, sesa nga përdorimi i një fjale të posaçme si “ju lutem”.
Norma të ngjashme shoqërore gjenden edhe në Finlandë, ndonëse finlandishtja i përket një familjeje gjuhësore të ndryshme nga danishtja, suedishtja, islandishtja dhe norvegjishtja.
“Gjuha është më shumë sesa fjalët. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si e paraqet një ide”, shprehet Puchowski.
Si të jeni të sjellshëm edhe pa thënë “ju lutem”?
Hummelgren këshillon vizitorët të vëzhgojnë njerëzit përreth dhe të përshtaten me mënyrën se si ata komunikojnë. Sipas saj, është e rëndësishme të kuptohet niveli i mirësjelljes që konsiderohet i përshtatshëm në një mjedis të caktuar.
Edhe pa e folur gjuhën vendase, udhëtarët mund t’i kushtojnë vëmendje tonit të zërit, gjuhës së trupit dhe mënyrës se si njerëzit u drejtohen punonjësve të shërbimit apo të panjohurve.
Në Suedi, një mënyrë e thjeshtë për të zbutur një kërkesë është shtimi i fjalës tack, që do të thotë “faleminderit”. Studimet mbi përdorimin e kësaj fjale në suedisht e lidhin atë me barazinë dhe reciprocitetin, më shumë sesa me nënshtrimin ndaj personit tjetër.
Një fjalë e ngjashme përdoret në pjesën më të madhe të rajonit,tak në danisht dhe takk në norvegjisht e islandisht. Në finlandisht, fjala për “faleminderit” është kiitos.
Megjithatë, vizitorët nuk kanë pse të shqetësohen shumë nëse nuk arrijnë t’i përdorin të gjitha këto shprehje në mënyrë të përsosur. Askush nuk do t’i shikojë me përbuzje apo nuk do t’u tërheqë vëmendjen nëse porosisin një kafe pa thënë tak.






















