Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke deklaruar se Ukraina duhet të zgjedhë një udhëheqës të ri, i cili mund të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
“Unë sugjeroj që të zgjedhin një lider të ri, që mund të bëjë një marrëveshje, sepse ai ka pasur shumë mundësi dhe për disa arsye, nuk e bën kurrë këtë”, u shpreh Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Përplasja mes dy liderëve vjen pas një marrëveshjeje të njoftuar nga Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin për furnizimin e tregjeve me naftë diezel ruse. Zelensky e kundërshtoi këtë nismë, duke paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve ndaj Moskës mund t’i sigurojë Rusisë të ardhura shtesë për të financuar luftën kundër Ukrainës.
Sipas një zyrtari amerikan, pakënaqësia e Trump lidhet edhe me sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës. Uashingtoni i kishte kërkuar vazhdimisht Kievit t’i ndalte këto sulme, të cilat administrata amerikane i konsideron një faktor që ndikon në furnizimin dhe çmimet e karburanteve.
Deklaratat e Trump kanë thelluar tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit në një moment kur vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa sulmet ruse ndaj qyteteve ukrainase vazhdojnë.






















