
Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar ndryshimin e emërtimit “Inteligjencë Artificiale”, ndërsa njëkohësisht ka njoftuar planet për krijimin e një strukture të re federale të quajtur “AI Force”, që do të merret me zhvillimet në këtë sektor.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump deklaroi se administrata e tij nuk synon të pengojë zhvillimin e industrisë së inteligjencës artificiale, por ta mbështesë dhe mbikëqyrë atë. Ai shtoi se rastet e keqpërdorimit të teknologjisë mund të trajtohen përmes sistemit ekzistues penal dhe civil amerikan.
Trump bëri të ditur se “AI Force” do të frymëzohet nga modeli i Space Force, të cilën e krijoi gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi gjithashtu se së shpejti do të emërojë një “Car të AI-së”, por nuk dha detaje mbi kompetencat apo mënyrën se si do të funksionojë struktura e re.
Presidenti amerikan e cilësoi inteligjencën artificiale si revolucionin e ardhshëm industrial, duke pretenduar se ndikimi i saj në të ardhmen mund të arrijë deri në 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-së. Trump theksoi gjithashtu synimin e tij që Shtetet e Bashkuara të ruajnë pozicionin udhëheqës në garën teknologjike me Kinën.
Por Trump kërkon të ndryshojë edhe vetë emrin e teknologjisë. Ai argumentoi se termi “Inteligjencë Artificiale” nuk e përshkruan siç duhet fenomenin dhe hapi një sondazh në rrjetet sociale me tre alternativa: “Inteligjencë Superiore”, “Inteligjencë Ekstreme” dhe “Inteligjencë Supreme”.
Njoftimi vjen në një periudhë kur në SHBA po zhvillohet një debat i fortë mbi ritmin e zhvillimit dhe rregullimin e inteligjencës artificiale. Trump ka kundërshtuar thirrjet për kufizime më të forta, duke e vendosur theksin te ruajtja e avantazhit teknologjik dhe ekonomik të SHBA-së.






















