
Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, ka deklaruar se Aleanca është e përgatitur për t’iu përgjigjur skenarëve të ndryshëm të sigurisë, përfshirë edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një prej vendeve anëtare. Deklaratat u bënë pas takimit të shefave të mbrojtjes së NATO-s në Kopenhagë.
Duke folur për kërcënimet hibride, Dragone shpjegoi se incidente të tilla jo domosdoshmërisht çojnë në aktivizimin e Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Situata, sipas tij, do të ishte ndryshe në rast të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj territorit të një vendi anëtar, kur parimi i mbrojtjes kolektive do të vendosej në qendër të reagimit të Aleancës.
Shefi ushtarak bëri të ditur se NATO disponon rreth 4 mijë faqe me plane të hartuara për mbrojtjen e krahut lindor. Ato përfshijnë skenarë të ndryshëm, nga situatat e krizës dhe ndërhyrjet në territorin e vendeve anëtare deri te rrethanat që mund të kërkojnë aktivizimin e Nenit 5.
“Aleanca është e gatshme. Struktura është gati. Ushtarët, sistemi dhe armët janë gati”, deklaroi Dragone, duke theksuar se NATO zotëron kapacitetet dhe strukturën e nevojshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve.
Ai vuri theksin edhe te strategjia e parandalimit, duke argumentuar se çdo palë që do të ndërmerrte një sulm ndaj Aleancës do të kishte më shumë për të humbur sesa për të fituar.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara për sigurinë evropiane. NATO tha pas takimit në Kopenhagë se shkeljet e hapësirës ajrore, incidentet me dronë dhe aktivitetet hibride të Rusisë gjatë javëve dhe muajve të fundit po testojnë vendosmërinë e vendeve aleate.






















