Editorial 11 February 2025, 23:55 Nga VNA

Sy më Sy me Edi Ramën: Arrestimi i Erion Veliajt dhe lufta për drejtësinë/ Rama mes Xhafajt dhe SPAK

Ndaje në Whatsapp
Sy më Sy me Edi Ramën: Arrestimi i Erion Veliajt dhe lufta për

Arrestimi i Erion Veliajt, përveç kostos politike, ka nxjerrë nga sirtari qëllimin e hershëm të Edi Ramës me Komisionin e Posaçëm të Fatmir Xhafës: çmontimin e SPAK-ut dhe goditjen e grupit hetimor, të njohur nga zhargoni i socialistëve si “Çeta e Dibrës”. Ky plan nuk është më i fshehtë, pasi kryeministri e paralajmëroi hapur teksa fliste përpara socialistëve në aktivitetin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Bashkë me fatin politik të Erion Veliajt, Edi Rama “varrosi” sot edhe qëndrimin e tij të përsëritur publik se SPAK është një produkt dhe krenari e PS-së dhe reformës në drejtësi të drejtuar prej saj.

Dhe duket se plani i gatshëm i Xhafajt për vendosjen e SPAK-ut nën kontrollin e PS-së do të vihet në zbatim pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Nëse Edi Rama do t’ia dalë ta likuidojë Prokurorinë e Posaçme vetëm me votat e PS-së, mbetet për t’u parë. Por, dinamikat e fundit dhe qëndrimi i vazhdueshëm refraktar i PD-së për reformën dhe SPAK-un rrisin mundësitë që PS dhe PD të bashkojnë votat për të përmbysur reformën në drejtësi.

Arrestimi i Veliajt dhe reagimi i ashpër i Edi Ramës dje dhe sot treguan qartë standardin e dyfishtë dhe qasjen selektive të tij ndaj drejtësisë. Në rastet e të arrestuarve të tjerë brenda PS-së, si Vangjush Dako, Lefter Alla, Fran Tuçi, Rexhep Byberi, Edison Memolla, Erion Isai, Eduart Duro, Benet Beci, Safet Gjici, Pjerin Ndreu dhe Jorgo Goro, Rama jo vetëm që nuk kritikoi SPAK-un, por përkundrazi e mbështeti me sloganin “Drejtësia e re në veprim”. Vetëm dje dhe sot, pas arrestimit të Veliajt, ai deklaroi se “SPAK ka dalë nga shinat” dhe paralajmëroi një përplasje të hapur me drejtësinë e re, duke justifikuar betejën me SPAK në emër të të drejtave të njeriut.

Ky ndryshim i menjëhershëm i qëndrimit të kryeministrit ngre shumë pikëpyetje: Pse Edi Rama doli kaq hapur kundër SPAK-ut pikërisht tani? Pse Erion Veliaj trajtohet ndryshe nga të tjerët brenda PS-së që kanë përfunduar në pranga? A është ky një moment vendimtar që tregon se ndasitë brenda PS-së po thellohen?

Politikisht për shkak të fushatës elektorale Edi Ramës i intereson të mbajë afër socialistët e çorientuar nga arrestimi i Veliajt me retorikë “anti-SPAK”. Nëse kjo retorikë mund të përdoret si mjet fushate për të ruajtur militantët, më e rrezikshme duket tentativa për të zyrtarizuar përpjekjet për të kapur SPAK-un ligjërisht. Këto përpjekje të nisura muaj më parë nga Fatmir Xhafaj sot morën dhe bekimin publik të Edi Ramës. A do të hedhë kryeministri në lojë “kartën Xhafaj”? A do t’i besojë ai fatin e tij politik dhe atë të PS-së ish-ministrit të Brendshëm? Gjasat janë që Xhafaj, tashmë i zemëruar nga arrestimi i Veliajt prej institucioneve që kryesisht ai vetë ndihmoi të ndërtoheshin dhe t’i “mbushte” me njerëzit e tij, të kërkojë hapësirë për revansh. Në pamje të parë dhe me dinamikën aktuale në PS, kjo mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër që do të kënaqë militantët dhe do t’i heqë Edi Ramës bezdinë që të merret me çështje juridike, të cilat nuk janë as pasioni dhe as fusha e tij e ekspertizës.

Por Edi Rama është një njohës i shkëlqyer i opinionit publik dhe si i tillë ai e di mirë që mbështetja për SPAK-un në opinion është sot në kulmin e saj. Po ashtu, ai është i ndërgjegjshëm se për të mbetur në pushtet, nuk do mjaftojnë vetëm militantët që i motivon Fatmir Xhafaj dhe retorike e tij sovjetike. Ekuacioni në këtë rast bëhet më i vështirë për kryeministrin, të cilit i duhet të kënaqë njëkohësisht orekset e militantëve dhe pritshmëritë e publikut e larta të publikut për SPAK.

Kë do të zgjedhë Edi Rama në këto kushte? Militantët dhe Xhafajn apo SPAK-un dhe opinionin publik? Kjo mbetet për t’u vlerësuar në javët e ardhshme, ku me gjasë, kryeministri do të përpiqet t’i kënaqë të gjitha palët duke qenë i ekuilibruar në qëndrime këto 100 ditë të mbetura. Por pas 11 majit, Edi Ramës do t’i duhet të zgjedhë mes Xhafajt plus militantët dhe mbështetjes së opinionit publik për SPAK. Do apo nuk do Edi Ramës do ti duhet të zgjidhë një ekuacion të vështirë ku vlerën e të panjohurës e përcakton… SPAK!

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme