Editorial 25 Janar 2025, 13:01 Nga VNA

Nekrologji e pacensuruar!

Ndaje në Whatsapp
Nekrologji e pacensuruar!

Sot mësuam se Anastas Janullatos, i vetëthëni dhe i thëni nga servilët shpirtshitur shqiptarë, kryepeshkop i Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, mbylli të dy sytë dhe iu bashkua kushedi se kujt në botën tjetër!

Se çfarë do të ndodhë në nahinë tonë, që quhet Republika e Shqipërisë, për këtë ngjarje, ajo dihet? Do të gjëmojnë kambanat e kishave, se humbën besimtarin dhe drejtuesin e tyre, pa asnjë ditë rrotacion, për plot 33 vjet. I ndyeri përmbushi kështu profecinë e vet, se në këtë botë të gjithë jemi të përkohshëm, teksa i përgjigjej me dredhi djallëzore pyetjes nëse në fronin e lartë të kishës shqiptare do të qëndronte përkohësisht, siç edhe ish premtuar në fillim. Do të dëgjojmë deklarata e do të shikojmë politikanë e drejtues shteti që gëlojnë nga elozhet, lavdërimet, përdëllimet. Do të shohim vajin dhe përshpirtjet që do të mbahen në kishat ortodokse shqiptare. Do të renditen servilshëm edhe përfaqësuesit më të lartë të feve të tjera në Shqipëri për t’i dhënë lamtumirën kolegut të tyre. Do të shohim ndoshta ambasadorë, ndonjë figurë e lartë e shteteve fqinje, ndonjë telegram nga Patriarku Stambollit, etj., etj. Ç’nuk do të shohim e dëgjojmë për ta lavdëruar këtë bir të kishës. Por kjo do të jetë vetëm pjesa zyrtare.

Pjesa që ndjen e flet shqip, do të vajtojë sa shpirti do t’i çahet, zemra do t’i çirret e sytë do t’i gjakosen. Nuk do të vajtojë për largimin nga kjo botë të të ndyerit Anastas Janullatos, por do të vajtojë për rrënimin e një vepre kaq madhështore të arritur me shumë mund e gjak nga priftërinjtë shqiptarë në fillim të shekullit XX, siç ishte Autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare. Besimtarët ortodoksë shqiptarë luftuan e u munduan dyfish, duke qenë dyfish patriotë. Ata u përballën me otomanët për të mëvetësuar Shqipërinë, dhe u përballën edhe me grekun për të mëvetësuar kishën e tyre. Luftuan dhe fituan, në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët ishin të dobët, të drobitur, të pashkollë, por ishin shpirtndritur e të pashitur. Fitore që e panë t’u prapësohej një shekull më vonë, kur Shqipëria dukej se po hynte në rrugën e demokratizimit, e rrethuar nga një botë e zhvilluar, por me dinjitet intelektual e ndjenja atdhedashëse të bjerrura nga sundimi e çedukimi komunist.

I ndyeri që e mbanin për të madh e të zgjuar, nuk ish njeri i Perëndisë shqiptare, as mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, as bariu i urtë i ortodoksëve shqiptarë.

Ai ishte rrëmbyesi i fronit të shenjtë kishtar të Fan Nolit, At Stath Melanit, Visarion Xhuvanit, Papa Kristo Harallambit (Negovani), Petro Nini Luarasit e shumë priftërinjve të tjerë, që Zotit të tyre i folën dhe e lëvduan shqip.

Ai ishte refuzuesi i gjuhës tonë shqipe dhe vasalizimit të kishës sonë ndaj asaj greke.

Ai ishte njeriu që sistematikisht refuzoi të bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët atdhedashës.

Ai ishte njeriu që kurrë nuk tregoi pikëllim dhe dhimbje për gjithçka vuajtën shqiptarët në kufijtë me shtetin grek dhe tokën greke, tek vendi që çuditërisht mbahet djepi demokracisë dhe shtet anëtar i BE-së.

Ai ishte njeriu që nuk tregoi kurrë respekt për fetë e tjera të shqiptarëve dhe kurrë nuk mallkoi ata që ndryshuan me presion emrat e shqiptarëve për një vizë për shtetin fqinj.

Ai ishte njeriu që shfytyroi pamjet e kishave tona, po aq të vjetra sa dhe kishat e tjera ortodokse nëpër Ballkan.

Ai ishte njeriu që luftoi edhe çdo prift me shpirt e zemër shqiptare që nuk pranoi t’i lëpinte dorën e helmatisur.

Ai nuk ishte mirëbërësi ynë. Mund të jetë mirëbërësi dhe shërbëtori i vyer i ortodoksisë, i Greqisë apo i kujtdo qoftë, por jo i ortodoksisë shqiptare dhe Shqipërisë.

Në këtë ditë që shkoi në botën përtej, ne nuk e mallkojmë këtë njeri. Fundja, ai ishte armiku ynë, që ende nuk e dimë saktë se ç’helm e shkatërrim na ka lënë pas. Në këtë ditë ne mallkojmë shërbëtorët dhe shpirtshiturit shqiptarë, kryesisht shtetarët dhe politikanët e Shqipërisë, që në 33 vjet janë zgërdhirë me të, kanë pirë dhe përhapur helmin e tij, u shndërruan në puthadorët e tij në dëm të kishës së shqiptarëve dhe të Shqipërisë, në shitës të interesave dhe të ardhmes së vendit.

Janullatos! Ne sot,

Mallkojmë atë shqiptar që pranoi që ti të vish në Shqipëri.

Mallkojmë atë shtetar që të fronëzoi në sallë hoteli, edhe pasi grigja në kishë të shpalli të padenjë.

Mallkojmë atë shtetar që të dekoroi e të lavdëroi.

Mallkojmë atë udhëheqës që të bëri shtetas të këtij vendi, që ti e shkele dhe përdhose.

Mallkojmë ata politikanë e qeveritarë të sotëm që u lutën për ty, kur në gjithë jetën e tyre politike kanë rrënuar shqiptarët dhe i shndërruan shërbëtorë në dyer të botës.

I mallkojmë me shpirt dhe për breza këta shqiptarë të zvetënuar që i kurdisën dhe i lanë mbi kurriz Shqipërisë këtë poshtërsi. U turpërofshin!

Siç do të shprehej i ndrituri ynë Andon Çajupi, në këto 33 vjet ka ndihmuar balta baltën! Sot e mbuloi balta baltën! Të baltosur mbeçi përjetë të jetëve!

Shënim. Gjuha e përdorur në këtë shkrim është frymëzuar nga shkrimtari ynë i madh dhe shqiptari ynë i mirë, Andon Zako Çajupi.

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme