Editorial 10 January 2025, 14:39 Nga VNA

Asgjë e re nga fronti i të rinjve në politikë

Ndaje në Whatsapp
Asgjë e re nga fronti i të rinjve në politikë

Drejtues të katër partive të reja politike debatuan mbrëmë në “Opinion”, jo për idetë, as për alternativat, por për mënyrën se si këto forca të reja politike pasqyrohen nga media në Shqipëri. Si një ankesë e hershme e tyre, partitë e reja ndoshta nuk e kanë kuptuar ende se realiteti mediatik në Shqipëri është i lidhur me fije të forta dhe të pazgjidhshme me politikën, biznesin dhe pushtetin. Ndaj të pretendosh nga media në Shqipëri të sillet si media franceze psh më shumë se naivitet mund të konsiderohet një strategji viktimizimi politik në fushatën e sapo nisur.

Aq më tepër kur, me të mirat dhe të këqijat e saj, të katër personazhet e mbrëmshëm – Adriatik Lapaj, Endri Shabani, Agron Shehaj dhe Arlind Qori – janë promovuar së pari nga media tradicionale dhe më pas kanë korrur sukses edhe në rrjetet sociale. Për këtë arsye agresiviteti i Arlind Qorit ndaj emisionit “Opinion”, më shumë se rebelim apo denoncim, ishte një taktikë e qartë për të fituar betejën e protagonizmit me tre të ftuarit e tjerë. Duke sulmuar Blendi Fevziun në studion e tij dhe Samir Manen në godinën e TV Klan, automatikisht ai u konsiderua si një personazh “ndryshe” nga ata që shfaqen çdo natë në studion e këtij emisioni. Por, a po përdor Arlind Qori standard të dyfishtë në këtë qasje? A janë po kaq oligarkike dhe përfituese edhe interesat e televizioneve që i japin atij hapësirë? Apo ndoshta është e nevojshme që dikush t’i tregojë se asnjë televizion privat në Shqipëri nuk ka mundësi të mbijetoje me biznesin e reklamave, në rast se në mes nuk ndërhyjnë interesa biznesi të lidhura me pushtetin e radhës.

Po kaq e pakuptimtë ishte dhe sjellja në kufijtë e servilitetit e Adriatik Lapajt, i cili, duke përsëritur me zë të lartë refrenin e tij populist, nuk i dha përgjigje pyetjes së thjeshtë: në rast se interesi për të rrëzuar Ramën është kaq i madh, atëherë çfarë i pengon këto forca politike të bashkohen në një front? Te njëjtës pyetje nuk iu përgjigj dot as Agron Shehaj, i cili gjithashtu ka qenë i ftuar shpesh në emisionin “Opinion”.

Pas zallamahisë dhe zhurmës mes Blendi Fevziut dhe Arlind Qorit, që duhet pranuar se nisën si qejfmbetje dhe replika të sinqerta dhe përfunduan si teatër për të vjelë klikime dhe audiencë, ajo që mbeti nga një debati i mbrëmshëm ishte kakofonia e ideve, qëndrimeve dhe alternativave mes 4 të ftuarve. Arlind Qori ishte i vetmi që ja doli mbrëmë që me strategjinë e menduar mirë të qasej ndryshe nga tre të tjerët ulur në krah të tij. Duke sulmuar drejtuesin e emisionit, duke përmendur emra të përveçëm oligarkësh ai mundi të zotërojë narrativën politike të programit. Në fakt, mund t’i kishte mjaftuar vetëm fakti që partia që ai drejton është e vetmja forcë politike me ideologji të qartë në tregun e ri politik. Tre të tjerët në krah të tij përfaqësojnë për momentin një përzierje marketingu politik dhe populizmi, që dallojnë nga njëra tjetra vetëm nga mënyra se si organizojnë takimet me qytetarët dhe shpenzimet.

Përballë kësaj varfërie idesh dhe qëndrimesh, gjuha agresive e Arlind Qorit sigurisht që merr më shumë vëmendje dhe mbështetje nga një publik që, i lodhur me origjinalin, vështirë të duartrokasë kopjet. Zoti Qori kaloi mbrëmë natën e “lavdishme” mediatike që ai e kishte kërkuar me ngulm për kaq muaj. Por nga klikimet, mbështetja online apo populizmi mediatik deri tek dita kur do të hidhet vota në kuti ka një rrugë të gjatë, të cilën katër drejtuesit e forcave të reja politike e kanë nisur jo me të njëjtin hap apo forcë për ta vazhduar deri në fund. Me gjithë përpjeket e tyre një gjë është e sigurt. Në 11 maj, shqiptarët do të duan të zgjedhin një alternativë bindëse, dhe jo kopjet e premtimeve dhe politikës 33-vjeçare. Boll të lodhur janë me origjinalin.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme