Editorial 30 Dhjetor 2024, 17:52 Nga VNA

Hetimet për Veliajn/ Përveshja e Ramës për të kapur SPAK

Ndaje në Whatsapp
Hetimet për Veliajn/ Përveshja e Ramës për të kapur

Nga Desada Metaj 

Edi Rama nuk e ka fshehur dot kënaqësinë që tashmë zgjatja e mandatit të prokurorëve të SPAK është në dorën e mazhorancës së drejtuar prej tij. Në konferencën e fundit për këtë vit, kryeministri u përpoq (sic ka bërë rëndom kohët e fundit) të marrë flamurin e reformës në drejtësi duke komentuar dhe propozimin e zëvendësndihmës sekretarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof, i cili ditë më parë përcolli mesazhin e qartë nga Departamenti Amerikan se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.

Me gurin që ka tashmë në dorë, Edi Rama po përpiqet fort të trokase në derën e SPAK, që së fundmi e ka gërryer fort rilindjen socialiste duke rënduar me 4 akuza kryetarin e bashkisë së Tiranës. Qartas, për të shpëtuar çka mund të shpëtohet nga reputacioni i shkatërruar dhe rreziku evident për të shkuar në qeli, Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë ngutje e nëse do të ketë një opinion, do ta formojë atë nga bisedat me ata që duhet të merren me këtë punë. Duke iu referuar SHBA dhe BE si vija e kuqe që nuk duhet shkelur për reformën, kreu i qeverisë më në fund pranoi qëllimin e vërtetë për formimin e komisionit Xhafaj: “Kemi një komision që do vazhdojë edhe mandatin tjetër dhe aty do të diskutohen të gjitha. Ai është graviteti i gjithë kësaj dhe pastaj do shohim,” tha Rama, që ndryshe nga sa ka këmbëngulur muajt e fundit, e pranoi se qëllimi i vërtetë i komisionit Xhafaj paska qenë ndërhyrja në reformën në drejtësi.

Duke i ofruar SPAK-ut komisionin e Fatmir Xhafajt si zgjidhje (dhe zgjedhje) për të mundësuar një mandat të dytë për prokurorët specialë, Edi Rama jo vetëm që ka ngritur çarkun ku mund të bjerë SPAK, por nga ana tjetër ka trazuar dhe zjarrin e reformës. Atë zjarr që, në fakt, përtej deklaratave mburravece të kryeministrit, e mbajnë ndezur SHBA dhe BE. Të vetmet që kanë kundërshtuar publikisht, dhe jo vetëm, çdo tentativë të mazhorancës dhe komisionit Xhafaj për të futur duart në reformën në drejtësi (lexo SPAK) dhe për të gatuar një pazar politik në emër të amnistimit të atyre që deri më sot janë konsideruar të paprekshëm. Me këtë lëvizje kryeministri bën dhe një përpjekje të re për të amnistuar dhe vetë komisionin Xhafaj i cili muajt e fundit është kritikuar nga ndërkombëtarët për qëllimet për të cilat është krijuar dhe është bojkotuar publikisht nga institucionet e drejtësisë dhe vetë Prokuroria e Posaçme.

Duke i kujtuar SPAK-ut dhe ndërkombëtarëve se vetëm me votat e PS mund të ndryshohet Kushtetuta, Edi Rama ka lëshuar dhe sinjalet se, për ta bërë këtë, do t’i duhet së pari amnistia për Erion Velinë. Jo më kot, kreu i qeverisë i doli sot në krah kryetarit të bashkisë, jo më shumë për t’i bërë avokatin, se sa për të treguar se, sido të jenë dosjet, ai sërish ka në dorë të drejtojë fijet e ndërlikuara të SPAK.

Ndryshe nga sa përpiqet të duket, Edi Rama e di shume mirë koston elektorale që mund të ketë për të dhe PS prezenca e Erion Velisë në fushatë. Jo më kot ai e ka “zhdukur” atë nga Tirana dhe fushata e zgjedhjeve të ardhshme dhe sot e bëri të qartë nën rreshta se, nëse do të ketë ndryshime, ato do të ndodhin me parlamentin e ardhshëm, ku pritet që ai të ketë numrin e votave që duhen për ndryshime kushtetuese pa ndihmën e opozitës. Duke treguar supremacinë e tij elektorale, Edi Rama tashmë e ka vendosur veten në postin e negociatorit kryesor për të plotësuar vullnetin e SHBA që kërkojnë që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë të kandidojnë dhe njëherë për këtë detyrë. Por a do të pranojnë ideatorët dhe zbatuesit e reformës në drejtësi që Edi Rama, me gjysmën e qeverisë në hetime për korrupsion, t’u vendosë kushte për mandatin e SPAK? A do mundet që kryeministri t’u imponojë SHBA dhe BE një ndryshim të kursit të reformës në drejtësi me kusht që të amnistohen emra të veçantë ku Veliaj duket të jetë i pari në listë?

Këto pyetje do të marrin përgjigje në javët dhe muajt në vijim. Ndërkohë, shqetësimi i Edi Ramës për beniaminin e vet ishte i dukshëm, jo më shumë për Veliajn, se sa për atë që vjen pas tij. Të gjithë aktorët politikë sot e dinë mirë se pavarësisht mburrjeve apo sharjeve, SPAK është “fëmija” i llastuar i SHBA dhe BE. Ndaj, si i tillë, ai duhet trajtuar me kujdes për të mos u lënë në duart e  kujdestarëve hallexhinj që njëherë e përdorin si flamurin e betejës së tyre politike dhe njëherë si plaçkë lufte për pazarin e radhës.

Në fund të ditës qartas fati i SPAK tashmë nuk është më në dorë as të Xhafajt, as të Ramës apo në fund të fundit, në dorë të politikës shqiptare. Ai është thjesht në dorë të vetë SPAK dhe në mbështetjen e publikut për të. Ndaj në këto kushte Edi Rama e ka të qartë se pavarësisht dëshirës për të bërë  kryenegociatorin nuk ka shumë hapësirë për të. Kërkesa për mbështetje (zgjatje mandati) është aty, në tavolinë e mbërritur nga SHBA dhe në sytë e të gjithëve. E nëse mbështetja ndaj SPAK duhet të jepet, do të jepet tani, sa më shpejt dhe sa më larg nga Xhafaj, Rama, apo aleancat fluide të tyre me doktorin. Thënë ndryshe, mundësia për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të posaçëm duhet dhe do të bëhet, pa e lexuar fare…siç vetë Rama thoshte për dikur për reformën në drejtësi.

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme