Për vite me radhë, bimët e shtëpisë janë promovuar jo vetëm si dekor, por edhe si një mënyrë natyrale për të pastruar ajrin dhe për të shtuar oksigjenin në ambientet ku jetojmë. Por ndikimi i tyre real është shumë më i vogël nga sa besohet.
Bimët thithin dioksid karboni dhe prodhojnë oksigjen përmes fotosintezës, por sasia e prodhuar nga një bimë e zakonshme shtëpie është e vogël krahasuar me nevojat e një personi.
Sipas ekspertëve të cituar nga The Guardian, një bimë mund të prodhojë vetëm disa litra oksigjen në ditë, ndërsa një njeri konsumon afërsisht 500 litra oksigjen në ditë.
Kjo do të thotë se disa vazo me bimë në dhomën e gjumit apo në zyrë nuk do ta ndryshojnë ndjeshëm nivelin e oksigjenit. Për të pasur një ndikim të matshëm në cilësinë e ajrit do të nevojitej një numër shumë i madh bimësh.
Edhe pretendimi se bimët largojnë ndotësit nga ajri kërkon kujdes. Eksperimentet laboratorike kanë treguar se disa specie mund të përthithin përbërje të caktuara, por kushtet e laboratorit janë shumë të ndryshme nga ato të një shtëpie të zakonshme.
Në jetën reale, hapja e dritareve dhe ventilimi i mirë janë shumë më efektivë për të rifreskuar ajrin e një dhome.
Kjo nuk do të thotë se bimët nuk kanë përfitime. Studime të ndryshme sugjerojnë se prania e gjelbërimit në ambientet e brendshme mund të ndikojë pozitivisht në humor, të krijojë ndjesi qetësie dhe ta bëjë hapësirën më të këndshme.
Pra, një monstera apo fikus mund të mos e kthejë dhomën në një “fabrikë oksigjeni”, por ka ende arsye të mira për t’i mbajtur bimët pranë nesh.






















