Një avion me flokët karakteristikë të Erling Haaland është bërë pjesë e një konflikti gjyqësor. Sulmuesi i Manchester Cityt dhe kompania e tij, York Promotions Ltd., kanë paditur kompaninë ajrore Norwegian Air Shuttle ASA, duke pretenduar se ajo ka shfrytëzuar pa autorizim tiparet e tij dalluese për të reklamuar bileta gjatë Botërorit 2026.
Mes postimeve të kompanisë ishte një fotomontazh që paraqiste një avion me flokë biondë të lidhur bisht, të ngjashëm me modelin që e kishte bërë Haaland lehtësisht të dallueshëm. Imazhi shoqërohej me frazën “Nuk jemi dukur kurrë më norvegjezë” dhe më pas është hequr nga rrjetet sociale.
Avokati i futbollistit, Thomas Hagen, ka konfirmuar padinë, duke shpjeguar se pretendimi lidhet me përdorimin e paautorizuar të tipareve të Haaland për qëllime tregtare.
Norwegian e ka konfirmuar marrjen e padisë, por ka shprehur habi për veprimin ligjor. Sipas kompanisë, postimet ishin spontane, të frymëzuara nga tendencat në rrjetet sociale dhe synonin të mbështesnin kombëtaren norvegjeze gjatë Botërorit. Ajo ka shprehur shpresën për një dialog me përfaqësuesit e futbollistit.
Palët pritet të marrin pjesë më 9 tetor në një takim paraprak përmes videos, pranë Gjykatës së Oslos, për të përcaktuar vijimin e procesit.
Detajet e kërkesave financiare nuk janë bërë publike dhe ende nuk ka një vendim gjyqësor apo dëmshpërblim të shpallur ndaj kompanisë ajrore.






















