Lifestyle 4 October 2026, 19:58 Nga VNA

“Nuk është vetëm për t’u dehur”, Oktoberfest pushton Britaninë dhe kthehet në fenomen

Ndaje në Whatsapp
“Nuk është vetëm për t’u dehur”,

Tradita e famshme bavareze e Oktoberfest-it po përhapet me shpejtësi në Britani, ku dhjetëra qytete po organizojnë versionet e tyre të festivalit gjerman me birrë, ushqim tradicional, muzikë dhe veshje karakteristike.

Nga Belfasti në Cardiff, Cambridge, Londër e deri në Folkestone, tendat e mëdha, kostumet lederhosen, muzika “oompah”, bratwurst-et dhe gotat e mëdha të birrës po tërheqin mijëra vizitorë. 

Një nga shembujt është Wünder Harbour në Folkestone, i cili nisi në vitin 2023 si një aktivitet vetëm për një fundjavë. Për shkak të interesit të madh, këtë vit festa është zgjeruar në katër fundjava.

Por organizatorët thonë se fenomeni nuk lidhet vetëm me alkoolin. Aktivitetet gjatë ditës tërheqin edhe familje me fëmijë, ndërsa përveç birrës ofrohen ushqime, muzikë live dhe forma të ndryshme argëtimi. 

Edhe në qytete të tjera interesi po rritet. Oktoberfest-i në Shropshire tërhoqi rreth 6 mijë persona kur u organizua për herë të parë në vitin 2017, ndërsa vitin e kaluar numri ishte dyfishuar në rreth 12 mijë vizitorë.

Organizatorët besojnë se një pjesë e suksesit lidhet edhe me rrjetet sociale. Veshjet tradicionale, tavolinat e gjata, muzika dhe gotat karakteristike krijojnë skena që vizitorët duan t’i fotografojnë dhe t’i shpërndajnë në Instagram e TikTok.

Oktoberfest-i origjinal lindi në Mynih në vitin 1810, ndërsa sot është festivali më i madh i birrës në botë. Vitin e kaluar ai tërhoqi rreth 6.5 milionë vizitorë, të cilët konsumuan po rreth 6.5 milionë litra birrë. 

Fenomeni britanik tregon se festa gjermane tashmë po shndërrohet në një eksperiencë ndërkombëtare, ku ushqimi, muzika, kostumet dhe atmosfera po bëhen po aq të rëndësishme sa vetë birra.

Video

Bota në një minutë

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në SPAK në zbatim të masës së sigurisë. Ajo po hetohet si pjesë e dyshuar e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme