Makinat elektrike pëlqehen nga shumë drejtues për komoditetin dhe kostot më të ulëta të përdorimit, por disa pasagjerë thonë se udhëtimi me to u shkakton më shumë të përziera. Përshpejtimi i menjëhershëm, frenimi rigjenerues dhe mungesa e zhurmës së motorit janë ndër shpjegimet e mundshme që po studiohen nga ekspertët.
Në një reportazh të BBC-së, 24-vjeçarja Lola Baird, nga Londra veriore, tregon se nuk kishte vuajtur nga të përzierat gjatë udhëtimeve me makinë derisa partneri i saj bleu një automjet elektrik, dy vjet më parë. Që atëherë, udhëtimet e gjata i shkaktojnë shqetësime aq të forta, sa i ka kërkuar të ndërrojë makinën.
Përvoja të ngjashme kanë raportuar edhe pasagjerë të tjerë, përfshirë prindër që kanë vënë re përkeqësim të shqetësimeve te fëmijët. Megjithatë, shumë përdorues thonë se nuk kanë asnjë problem, ndërsa disa ndihen më mirë në automjetet elektrike sesa në makinat me motor me djegie të brendshme.
Sipas Irene Di Giulio, pedagoge e anatomisë dhe biomekanikës në King’s College London, kërkimet e deritanishme sugjerojnë se disa persona mund të përjetojnë të përziera më të forta në automjetet elektrike. Por studimet janë ende në fazat e para dhe ekspertët theksojnë se provat nuk mjaftojnë për një përfundim të prerë.
Çfarë mund t’i shkaktojë të përzierat?
Neurologu Nicholas Hac shpjegon se shqetësimet gjatë udhëtimit lidhen me mospërputhjen mes sinjaleve që truri merr nga shikimi, sistemi i ekuilibrit në veshin e brendshëm dhe ndjesitë e trupit. Për shembull, kur një pasagjer shikon telefonin, sytë nuk ndjekin lëvizjen e makinës, ndërsa veshi i brendshëm e percepton atë.
Te automjetet elektrike, mungesa e zhurmës dhe e dridhjeve të zakonshme të motorit mund ta bëjë më të vështirë parashikimin e përshpejtimit. Gjithashtu, reagimi i menjëhershëm i motorit elektrik mund të krijojë ndryshime të vrullshme të shpejtësisë.
Një tjetër faktor i mundshëm është frenimi rigjenerues, që ngadalëson automjetin kur drejtuesi heq këmbën nga pedali i përshpejtimit dhe rikuperon energji për baterinë. Nëse pedali lëshohet papritur, ngadalësimi mund të jetë i fortë, duke krijuar te pasagjerët ndjesinë e lëkundjes përpara dhe prapa.
Megjithatë, mënyra e drejtimit ka gjithashtu rëndësi. Shoqata britanike e përdoruesve të automjeteve elektrike, EVA England, thotë se ky shqetësim nuk është ngritur si problem nga anëtarët e saj dhe se stili i drejtimit mund të ndikojë në përvojën e pasagjerëve. Shumë modele lejojnë edhe rregullimin e intensitetit të frenimit rigjenerues.
Si mund të lehtësohen shqetësimet?
Ekspertët e cituar nga BBC këshillojnë pasagjerët të shikojnë përpara, përmes xhamit të makinës, dhe të shmangin telefonin apo leximin gjatë udhëtimit. Mbajtja e kokës të mbështetur te mbështetësja, frymëmarrja e qetë dhe ajri i freskët mund të ndihmojnë gjithashtu.
Gratë dhe fëmijët janë më të prirur ndaj të përzierave gjatë udhëtimit, ndërsa ndjeshmëria zakonisht arrin kulmin mes moshës tetë dhe dhjetë vjeç. Sipas studiuesve, me kalimin e kohës dhe përsëritjen e udhëtimeve, trupi mund të përshtatet dhe shqetësimet të zbuten.
Prodhuesit mund të kontribuojnë përmes sistemeve që zbusin përshpejtimin dhe ngadalësimin, si edhe sinjaleve zanore apo dridhjeve të lehta që i ndihmojnë pasagjerët të perceptojnë lëvizjen. Deri atëherë, lidhja mes automjeteve elektrike dhe të përzierave mbetet një çështje që kërkon studime më të gjera.






















