Editorial 7 February 2025, 20:41 Nga VNA

Gjykata Kushtetuese dhe vonesa në zbardhjen e vendimit: a po krijohet një precedent shqetësues për provat SKY/ECC?

Ndaje në Whatsapp
Gjykata Kushtetuese dhe vonesa në zbardhjen e vendimit: a po krijohet

Nga Desada Metaj

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ende nuk ka zbardhur vendimin e dhënë më 30 dhjetor 2024, duke ngritur shqetësime të thella lidhur me ndikimin që argumentet e saj mund të kenë në gjykimet e ardhshme mbi vlefshmërinë e provave të siguruara nga sistemet e koduara të komunikimit, si SKY ECC.

Vendimi i dhjetorit, megjithëse rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e disa vendimeve gjyqësore dhe disa dispozitave të ligjit nr. 95/2016, ende nuk ka marrë formën e tij të plotë, pasi tashmë janë tejkaluar afatet ligjore. Sipas ligjit, zbardhja e një vendimi duhet të ndodhë brenda 30 ditëve. Kjo vonesë lë pezull jo vetëm palët e interesuara, por edhe gjithë sistemin dhe ingranazhet e institucioneve të drejtësisë, duke krijuar një pasiguri serioze për interpretimin dhe zbatimin e provave të marra nga SKY/ECC.

Nëse Gjykata Kushtetuese përdor arsyetime lakonike, të cilat mund të lënë shteg për interpretime mbi përdorshmërinë e këtyre provave, kjo mund të krijojë një precedent që do të ndikojë negativisht në trajtimin e çështjeve penale ku këto prova janë thelbësore për vërtetimin e veprave penale. Dhe çështje të tilla ka disa me rëndësi specifike të madhe për Shqipërinë.

Një tjetër derivat shqetësues i kësaj vonese është fakti se një qëndrim i tillë mund të përdoret si bazë nga gjykatat e niveleve më të ulëta, duke u dhënë atyre hapësirën për të interpretuar sipas dëshirës (lexo: interesit) dosjet ku janë të zbardhura përgjimet dhe për t’i shpallur këto prova të papërdorshme. Ky akt i supozuar do të minonte një pjesë të madhe të hetimeve të SPAK-ut dhe strukturave të tjera të drejtësisë që kanë mbështetur akuzat mbi këto prova.

Paqartësia që sjell vonesa në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mund të konsiderohet si një shkëndijë për të minuar proceset e hetimit dhe gjykimit që kanë nisur për bandat e rrezikshme, përfshirë dhe lidhjet e tyre me politikën. Qartas, vonesat në arsyetimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese të vendimit të saj vënë në dyshim përdorimin në përditshmëri të provave të marra nga SKY/ECC, duke krijuar një efekt zinxhir në zhbërjen e elementeve thelbësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri. Transparenca dhe shpejtësia në trajtimin e çështjeve të tilla janë thelbësore për të garantuar besimin e publikut në drejtësi dhe për të mos lejuar krijimin e një terreni të rrezikshëm për mosndëshkimin e krimit të organizuar.

Në pamje të parë, një vonesë e tillë mund të konsiderohet si një problem administrativ i Gjykatës Kushtetuese. Por në kohën kur kjo gjykatë ndodhet në krizë për shkak të zëvendësimit të munguar të anëtarëve të saj, të cilëve u ka mbaruar mandati, një pikëpyetje mund të ngrihet mbi ata anëtarë që pjesën e mbetur të këtij mandati mund ta shfrytëzojnë për të bërë “shërbimin e fundit”. Nuk është sekret fakti që çështjet që lidhen me SKY ECC përfshijnë eksponentë të fuqishëm të krimit të organizuar dhe individë me ndikim politik dhe ekonomik, ndaj rreziku që procesi vendimmarrës të mos bazohet vetëm në standarde kushtetuese dhe juridike, por të ndikohet edhe nga interesa të tjera, është evident. Kjo do ta bënte edhe më të rëndë një vendimmarrje evazive dhe jo shteruese të kësaj çështjeje.

Për vetë rëndësinë e kësaj, Gjykata Kushtetuese së fundmi ka treguar se nuk është në lartësinë e duhur për të merituar statusin e institucionit më të lartë të drejtësisë. Shkelja e Kushtetutës nga ana e kryetares në detyrë Holta Zaçaj për mandatin e saj dhe atë të dy anëtareve të tjera, duke shkaktuar krizë kushtetuese për vakancat, ka shtruar terrenin që edhe çështje të tilla me rëndësi jetike të futen në spiralen e krizës dhe pavartësisë.

Gjykata Kushtetuese, tashmë e ngecur në ngërçin e zëvendësimit të 3 vakancave, e ka të pamundur të dalë nga ngërçi juridiko-politik ku e ka futur veten. Zbardhja e vendimit për përgjimet SKY ECC është thjesht një zgjatim i kësaj krize. Megjithatë, përtej interesit për karrigen, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë tashmë përpara një testi të rëndësishëm të ushtrimit të rolit të tyre në garantimin e ndëshkueshmërisë së atyre që shkelin ligjin, pavarësisht statusit të tyre ekonomik dhe politik.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme