
Për të kuptuar çfarë po ndodh me Gjykatën Kushtetuese dhe tre vakancat e pritshme të këtij viti në këtë gjykatë, është e udhës të risjellim në vëmendje rastin e Elsa Toskës, pasuar nga ai i Holta Zacajt. Këto dy raste janë zanafilla e një problemi që mund të konsiderohet i trashëguar dhe që, mbrëmë, nxiti edhe reagimin e Presidentit të Republikës. Ky i fundit është autoritet publik, që jo thjesht informohet për ngjarjet dhe zhvillimet, por e ka edhe për detyrë t’i përcjellë këto zhvillime institucionale dhe madje të reagojë, së paku kur Kushtetuta shkelet.
Fakte të tilla, si shpallja e vakancës zëvendësuese të Elsa Toskës me një mandat që Elisa Spiropali e caktoi, pa u konsultuar me njeri dhe duke shmangur zyrën juridike të Kuvendit, si një mandat të plotë që përfundon në 2028, duke prishur kështu skemën e përteritjes së rregullt të GJK, mosveprimi nga ana e Holta Zacajt për thirrjen e Gjykatës për deklarimin e mbarimit të mandatit të vet, dhe reagimi ligjor i Gjykatës së Lartë për të rivendosur balancat dhe korrektësinë kushtetuese nga mosveprimi i Holta Zacajt, janë të gjitha ngjarje të rëndësishme, të cilat duhet të merreshin në konsideratë nga Presidenti për të identifikuar shkakun e krijimit të ngërçit juridik, rrezikun që i kanosej institucionit të GJK, si dhe masën, kohën dhe mjetet për të ndërhyrë në shmangien e krizës.
Në shkeljet e një pasnjëshme të Kushtetutës nga ana e Kryetares së GJK, edhe pse mazhoranca, opozita dhe pjesa më e madhe e medias heshtën, për Presidentin e Republikës nuk ka qenë kaq e vështirë të kuptonte se shkaku i stisjes së një krize institucionale të GJK ishte një veprim banal i Kryetares së GJK. Ajo nuk veproi në kohë për thirrjen e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar mbarimin e mandatit të vet (në konflikt të pastër interesi), duke futur në ngërç fillestar GJK. Kjo u pasua nga një reagim i Gjykatës së Lartë, si masë për të rivendosur në mënyrë të sforcuar stabilitetin institucional dhe kushtetues të procesit të përteritjes së anëtarëve të GJK.
Vetë GJK u mblodh duke dhënë një vendim për çështjen e mandatit të Zacaj, e duke dhënë madje në interpretimin e vendimit edhe një rrugëzgjedhje për të parandaluar kriza të tjera si ajo që sapo kishte ndodhur. Por kryetarja në detyrë e GJK nuk zhgënjeu, edhe në rastin e mandatit të Bejtes, sepse përsëri, ajo nuk veproi, për të ushtruar kompetencën e thirrjes së mbledhjes së GJK. Në këtë rast, duke qenë kompetencë e tij, ajo çka pritej nga Presidenti i Republikës ishte një reagim juridik, jo vetëm për të rivendosur stabilitetin kushtetues, por edhe për të ruajtur imazhin (dy herë të cenuar haptas) të Kushtetutës nga zonja Zacaj. Në rastin e Presidentit, ndryshe nga rasti i GJL, kishte edhe një praktikë të mëparshme dhe madje edhe një vendim të GJK, që jepte udhëzime të qarta se si të anashkalohej kriza. Një vendim i GJK, kujtoj që ka të njëjtën peshë dhe fuqi detyruese sa edhe vetë Kushtetuta. Të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë atë, madje pa e vënë në dyshim.
Vete Presidenti sigurisht që në mos ka lexuar, se paku ka dëgjuar lajmet për mandatet e Gjykatës Kushtetuese dhe çështjen Zacaj. Ndërsa për rastin e zonjës Bejtja, ka në zyrën e tij gjithë dosjen e saj, duke nisur nga praktika e qartë që çoi në dekretimin e Besnik Muçit, mandatin e të cilit ajo mori. Për më shumë, Presidenti i Republikës duhet të jetë në dijeni institucionalisht edhe për opinionin e Komisionit të Venecias, që ka bërë një analizë të qartë e saktë rreth çështjes së mandateve të anëtarëve të GJK.
Por, ndryshe nga sa pritej dhe nga sa i takon institucionit që përfaqëson, Bajram Begaj zgjodhi mbrëmë ta fusë procesin e vakancës së institucionit të tij në një spirale paqartësie, që e vuri në qendër të sulmeve të avokatëve të zonjës Bejtja në politikë dhe media duke mos ja dalë dot që me stërhollime juridike t’i shpëtonte baltës politike të interesave meskine. Në fakt, në arsyetimin e tij (që besojmë e ka lexuar dhe kuptuar) rezultojnë disa paqartësi, në formë dhe në përmbajtje, që edhe për një sy të pastervitur janë të dukshme.
1. Në objektin e saj, kërkesa e presidentit përshkruan se targeton “deklarimin e mbarimit të mandatit kushtetues”, por ajo nuk specifikon, se cilit prej anëtarëve i referohet. Në kompetencë të presidentit janë vetëm tre mandate. Dhe për hir të përtëritjes që duhet të ndodhë në 2025, mandati në dorë të institucionit që ai përfaqëson është vetëm 1, ai i zonjës Bejtja. E udhës do të ishte të specifikohej se për cilin anëtar të GJK kërkohet deklarimi i mbarimit të mandatit. Përndryshe, ose presidenti “ka frikë” të përmendë emrin e vakancës së tij, ose qëllimisht rrit paqartësitë.
2. Në më shumë se gjysmën e arsyetimit të kërkesës, konstatohet se referimi bëhet tek vendimi i GJK i dt 23.12.2024 që ka deklaruar mbarimin e mandatit të Zacaj. Duket se kërkesa i referohet rastit të Zacajt, në formën e një analize kritike. Pra, pretendimi i shprehur në një paragraf se: “Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka shprehur në analizën e saj asnjë konkluzion lidhur me impaktin që arsyetimi i saj për “parimin organizativ të përtëritjes së rregullt të pjesshme” dhe për “lidhjen mes mbarimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës dhe fillimit të qëndrimit në detyrë të gjyqtarit të ri” duket sikur, presidenti i republikës vë në dyshim arsyetimin e vendimit të GJK, si të paplotë apo jo të ezauruar. Kjo është as më pak e as më shumë një tjetër paqartësi e shtuar, e cila duket se synon më shumë që të mjegullojë rastin. Në fakt, përmes atij vendimi, Gjykata ka analizuar çështjen dhe në tërësi. Duke i dhënë zgjidhje dhe mënyrës së llogaritjes së përfundimit të mandatit të zonjës Zaçaj, i ka hapur rrugën për zbatimin, me të njejtën praktikë, dhe të përcaktimit të përfundimit të mandatit të zonjës Bejtja, e në të njejtën kohë ka nxjerrë zbuluar dhe Elisa Spiropalin me vendimin e marrë prej saj, për rastin Toska.
3. Presidenti ka zgjedhur të bëjë sikur është i paqartë, ndonëse në referencat që ai vetë bën ndaj vendimit të GJK zbulon po vetë, se nuk k apse të ketë mëdyshje për rrugn që duhej të ishte ndjekur. “Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim”, shkruhet në kërkesën e Begajt. Pra, qartazi, vendimi i Gjykatës, siç e pranon dhe vetë Pesidenti, e ka zgjidhur rastin e zonjës Bejtja. Në këtë rast problemi nuk është te vendimi, siç kreu I Shtetit pretendon, por vetëm te kryetarja e kësaj gjykate. Ligji e ka të shprehur në mënyrë të drejtëpërdrejtë që është ajo që vë në lëvizje procesin dhe që njofton organin e emërtesës. Duket e çuditshme se përse mosveprimin e kryetares, Presidenti e fsheh si paqartësi të vendimit të Gjykatës.
4. Presidenti, më shumë se sa të zgjidhë situatën, për pjesën që i takon, duket se kërkon të hedhë në erë të gjithën kur shkruan se “… nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën”. E para, mandati i zonjës Zaçaj nuk është shkurtuar. Përdorimi i këtij termi duket tërësisht i pavend, për të mos thënë se synon qëllimisht të “rihapë” një problem të mbyllur në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit. E dyta, nëse Presidenti do të mjaftohej të bënte atë që bëri Gjykata e Lartë, do ta kishte zgjidhur dhe çështjen e mandatit të dytë (rasti Bejtja). Ndërsa parlamenti, është ende në kohë që të korrigjojë vendimin personal të Spiropalit (rasti Toska). Konstatimet e tij për këtë rast janë të sakta, por pretendimi që në vendimin dedikuar Zacajt të korrigjoheshin shkeljet ligjore të Spiropalit, duket edhe ky i pavend. Edhe pse për këtë të fundit i mjafton të flasë në takimet e përjavshme me Elisa Spiropalin që me veprimet e saj shënoi precedentin e serisë së shkeljeve të Kushtetutës nga ana e kryetares së GJK.
5. Presidenti, në mënyrë të cuditshme, duket sikur kërkon të justifikohet se për veprimin e tij të djeshëm, ka qenë thjesht i detyruar ta bëjë, nga vendimi i dhjetorit, i Gjykatës Kushtetuese, dhe jo nga detyrimi kushtetues. “Të dyja këto organe (Presidenti dhe Kuvendi ) nuk do të kishin nevojë të viheshin në lëvizje pas datës 25.1.2025 për të kërkuar deklarimin e mbarimit të dy mandateve, nëse Gjykata vetë nuk do kishte lidhur mbarimin e mandatit të gjyqtares Zaçaj me nevojën për zbatimin e parimit të përtëritjes së pjesshme dhe datën e përfundimit të mandatit të saj me datën korresponduese të përfundimit të mandatit të anëtarëve paraardhës”, shkruhet në kërkesë. E thënë me fjalë të thjeshta, Begaj deklaron hapur, se nëse nuk do të kishte patur një vendim interpretues të rastit Zaçaj, ai nuk do të kishte ndërmarrë asnjë veprim për zonjës Bejtja, pavarësisht parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, apo dhe praktikës së ndjekur nga pararendësi i tij.
Më shumë se sa një vlerësim juridik, ky duket një shfajësim. Se ndaj kujt, këtë e di më mirë vetë presidenti. Për më tepër, një konstatim i tillë, zhbën, dhe gjithë artikulimin dhe kritikat që ai bën ndaj vendimit të Gjykatës, se nuk paksa dhënë orientim për mandatet e tjera.
6. Së fundmi, ështe e habitshme loja e fjalëve me objektin e kërkesës. Nëse Presidenti ka pasur për qëllim që të kërkojë “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës”, atëherë ai kërkesën nuk duhet ta kishte titulluar si “Deklarim të mbarimit të mandatit të anëtarit të GJK”, por “kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës”. Nëse presidenti ka thjesht qëllim që të kërkojë “deklarim të mbarimit të mandatit” (e në këtë rast duhet të specifikojë se cilit gjyqtar që i takon të zëvendësojë), atëherë përse ka thirrur me kërkesë edhe Kuvendin apo edhe Gjykatën e Lartë? Çfarë e lidh me mandatet e këtyre dy organeve të tjera?
Nëse Presidenti ka kërkuar (jo shumë qartë) “zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencës”, pyetja më e thjeshtë është, se me cilin organ e ka konfliktin? Me Kryetaren e GJK? Me të gjithë GJK? Edhe në këtë rast, Presidenti zgjedh të bëjë sërish sikur nuk kupton. Së pari këtu nuk ka një konflikt kompetencash, sepse Gjykata nuk është se ka marrë përsipër të ushtrojë një kompetencë të tij, apo t’ja heqë atij të drejtën për ta ushtruar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përcakton se kur kryetarja e Gjykatës nuk vepron, duke e penguar në këtë mënyrë që ai të ushtrojë kompetencën e tij, ai ka të gjithë të drejtën t’i drejtohet Gjykatës, e cila në këtë rast, nuk mbetet në humorin e kryetares, por është e detyruar të mblidhet.
Janë këto paqartësitë që kërkesa e Presidentit, mbart në përmbajtje të saj. Pa vënë në dyshim qëllimin, qartas kërkesa e zotit Begaj jo vetëm nuk e ka zgjidhur, por e ka koklavitur edhe më tej ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Duke dashur ndoshta të kënaqë të gjitha palët politike përfshirë në këtë Gjykatë, Presidenti jo vetëm nuk i ka kënaqur, por madje ka rritur numrin e të mërziturve me atë vetë, në radhët e opozitës. Edhe pse kriza e zgjatur në Gjykatën Kushtetuese i shkon për shtat mazhorancës dhe opozitës, në nderin e një presidenti pa shumë kompetenca do të ishte që në ato pak raste kur firma i merr peshë, të qëndronte në pozita kushtetuese. Akti i djeshëm i Bajram Begajt ka vetëm një sinjal pozitiv. Kërkesa e tij së paku do të vërë në lëvizje GJK, e cila do të detyrohet të mblidhet për të shqyrtuar mandatin drejt përfundimit të Sonila Bejtjes. Nëse për pjesën juridike, Presidentit të Republikës do t’i duhet kohë të kuptojë ç’kanë shkruar në letër, për pjesën politike zotit Begaj ndoshta do t’i shërbejë historia e shkurtër e politikës 33-vjeçare, e cila ka treguar se serioziteti dhe vendimet e qarta janë ato që formëzojnë një burrë shteti. Sa për “Spiropalizim”, na mjaftojnë ata që kemi.