Hetimet disa mujore të SPAK zbuluan 3 pasuri që dyshohet se Mirlinda Karçanaj i ka përfituar si ryshfet për shkak të detyrës si drejtoreshë e AKSHI-t edhe pse ishte përpjekur t’i kamuflonte në mënyra të ndryshme. Por prokurorët teksa sekuestruan dhjetra dokumenta, kontrata noteriale si dhe pyetën njerëzit pranë Karçanaj zbuluan se pasuritë i përkisnin vetë saj.
“Lidhur me të ardhurat e paligjshme të përfituara në formë korruptive nga e hetuara Mirlinda Karçanaj ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, të cilat të analizuara në harmoni me njëra-tjetrën, bëjnë të besohet fakti se ajo ka përfituar në mënyrë indirekte nga Arjola Koromani (nëpërmjet Daniel Shimës) shumën prej 200 mijë eurosh. Në disa raste ka marrë kuti vere të mbushura me kartmonedha euro me prerje 100, 200, 500 si dhe ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ku përmendim blerjen e 3 pasurive të paluajtshme, dy në Tiranë dhe një në Qerret, me qëllim favorizimin e Soft&Solution apo dhe kompanive të tjera. E gjithë kjo duke u bazuar në procedurat e prokurorimit të zhvilluara nga institucioni që ajo drejtonte; Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit”, thuhet në dokumenta.
Pasuria e parë
Sipas SPAK lidhur me një apartament në rrugën Dervish Hima në Tiranë ku ka jetuar me qira Karçanaj rezulton se shtetasi G. Osmënaj ja ka shitur këtë pasuri kompanisë “Fortis Beton CO” me ortak të vetëm shtetasin Orest Sota, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ergys Agasit. Apartamenti me sipërfaqe 203.3 metra katror, rezulton sipas dokumentave të jetë blerë për 370 mijë euro. Pas blerjes “Fortis Beton CO” e Orest Sotës ka nënshkruar kontratë qiraje me Mirlinda Karçanaj.
Orest Sota rezulton se është lidhje e ngushtë shoqërore e Ergys Agasit – thotë SPAK – dhe janë të lidhur gjithashtu dhe në interesa të përbashkëta financiare.
“Kjo e dhënë mbështetet në këqyrjen e pamjeve filmike të ambjenteve të zyrës së shtetasit Ergys Agasi, nga ku dokumentohet lidhja dhe raporti i ngushtë i të hetuarit Agasi dhe Orest Sotën.
I pyetur nga SPAK Orest Sota deklaroi se “apartamentin e ka blerë nga shtetasi G. Osmënaj. Kam njohje të hershme me djalin e tij pasi kemi qenë në shkollë bashkë. Unë kam shkuar që i vogël tek ky apartament, të cilin e kam blerë për nevojat e mia”. Më pas, ai shpjegoi se ishte Ergys Agasi që i kërkoi t’i gjente një apartament me qira. “Unë i them se kam një apartament timin. I kam dhënë me qira apartamentin për të cilin ju më pyesni më sipër, të cilin edhe sipas kontratës e ka marrë dhe ka jetuar Mirlinda Karçanaj”, rrëfen Sota.
Lidhur me vlerën e qerasë së apartamentit dhe njohjen e tij me Mirlinda Karçanaj, Orest Sota ka shpjeguar se: “Këtë vlerë e kam vendosur si vlerë minimale për t’i bërë nder shtetasit Ergys Agasi për shoqëri. Sota mohoi të kishte njohje me Karçanajn. Krahas kësaj dëshmie, ishte dhe rrëfimi i shoferit të Karçanaj që e lidhte ish-zyrtaren e lartë me këtë pasuri.
“Nga viti 2019 ajo ka banuar në një shtëpi përballë Bankës së Shqipërisë në rrugën e Kavajës. Ajo lëvizi me qira pranë Stadiumit Air Albania, do ketë qenë fillimi i janarit 2025 kur kam filluar ta marr me makinë te shtëpia e re te stadium”.
SPAK thotë se kontrata që Karçanaj ka lidhur me kompaninë e Sotës është fiktive dhe është kryer në mashtrim të ligjit, me qëllim fshehjen e faktit që kjo banesë është blerë me qëllimin e vetëm për t’u përdorur nga e hetuara.
Pasuria e dytë
SPAK pretendon se Karçanaj zotëron edhe një apartament në rrugën e Kavajës. Nga hetimet rezulton se apartamenti është blerë 73.380 euro nga Rafael Bistri. Shitësi ishte B. Lika. Kontrata mes tyre është lidhur në 2017. Rafael Bistri rezulton se të njëjtën datë, konkretisht me 7 mars 2017 ka lidhur dy kontrata huaje me shoqërinë “Forensic Lab” dhe “Fast tech” e Andis Papa. Shuma e huave ishte 80 mijë euro. Në 2018 ky apartament blihet nga motra e Daniel Shimës, ish-drejtori i AKSHI-t, i cili në 2025 u zhduk në mënyrë të mistershme për 10 orë.
Një vit më vonë, motra e Shimës ia shet apartementin për një vlerë prej 50 mijë eurosh nënës së Mirlinda Karçanaj. Vlera e shitjes ishte rreth 3 milionë lekë të reja më lirë se çmimi fillestar i blerjes.
“Nga hetimet rezulton se vlera reale e transaksionit të kryer, për blerjen e këtij apartamenti është rreth 60 mijë euro dhe jo sa është deklaruar me aktet noteriale, ku vlera prej 80 mijë euro është paguar Cash nga Mirlinda Karçanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal”, thotë SPAK.
Pasuria e tretë
SPAK thotë se Karçanaj është pronare faktike e një apartamenti duplex në Qerret të Kavajës. Referuar të dhënave, rezulton se kjo pasuri është blerë në 2023 nga Ram Basha. Palë shitëse është Enxhiana Alimeta, punonjëse e kompanisë “SOFT&Solution” e Ermal Beqirit.
Basha tha se lekët ja kishte dhënë borxh shtetasi S. P dhe ai i kishte hedhur në bankë. Por nuk e njihte shitësin dhe nuk kishte qenë kurrë në Durrës e as në Qerret.
Por shoferi i Karçanaj, Florjan Bylyku pranoi për hetuesit se Karçanaj kishte jetuar në këtë apartament deri në 2025. Ai tha se kishte kryer për llogari të saj edhe pagesat për administrimin.
SPAK thotë se pasuria në fjalë është produkt i veprës penale të korrupsionit prej të hetuarës Mirlinda Karçanaj si rezultat i veprimeve të saj në cilësinë e drejtueses së AKSHI-t. Karçanaj po hetohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga biznesmenët në arrati, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, kompanitë e të cilëve fitonin miliona euro pranë AKSHI-t.






















