Është një Kvaratskhelia që po tërheq vëmendjen e skautëve të gjysmës së Europës dhe jo, nuk bëhet fjalë për yllin e PSG-së. Ai quhet Tornike dhe është vëllai më i vogël i Khvicha-s. I lindur në vitin 2010, Tornike është një sulmues krahu i majtë, ashtu si edhe vëllai i tij më i famshëm. Një tjetër element që i bashkon është aftësia për të përdorur njësoj mirë të dyja këmbët.
“Kvara” është rritur në Inter Academy Georgia dhe në fillim të këtij viti kaloi te Dinamo Tbilisi, klubi që në të kaluarën kishte nxjerrë në futbollin profesionist edhe Khvicha-n, dhe ku javën e kaluar regjistroi paraqitjen e tij të parë me ekipin e parë.
Për momentin, ai është vënë në pah veçanërisht me ekipet e moshave të Gjeorgjisë. Emri i tij ka përfunduar në bllokun e shumë vëzhguesve të klubeve të mëdha europiane. Aktualisht, skuadra që duket se ka lëvizur më konkretisht është Bayern Munich.
Talenti 16-vjeçar thuhet se ka udhëtuar drejt Mynihut për të takuar drejtuesit bavarezë dhe për të parë nga afër strukturat e klubit gjerman.






















