Rreth një e pesta e të punësuarve në sektorin e kujdesit shëndetësor në Gjermania janë shtetas të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia Gjermane e Punësimit me rastin e Ditës së Kujdestarëve dhe Infermierëve më 12 maj.
Në total, rreth 1.76 milionë persona punojnë në spitale, klinika, shërbime ambulatore dhe institucione rezidenciale, duke u kujdesur për të sëmurët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Sektori ka shënuar një rritje prej 22% gjatë dekadës së fundit.
Sipas të dhënave, 734 mijë punonjës janë të angazhuar në spitale dhe klinika, ndërsa 843 mijë ofrojnë kujdes në shtëpi dhe ambiente rezidenciale. Nga ky total, rreth 353 mijë janë të huaj, që përbëjnë afërsisht 20% të fuqisë punëtore në këtë sektor.
Përqindja më e lartë e punonjësve të huaj vjen nga Bosnja dhe Hercegovina, Turqia dhe India, ndërsa gjithnjë e më shumë shtetas nga Ballkani Perëndimor po punësohen në sistemin gjerman të kujdesit, me rreth 54.700 punonjës në total.
Po ashtu, është rritur edhe numri i punonjësve nga Siria, që ka arritur në rreth 9.300 brenda një periudhe të shkurtër.
Sektori mbetet i dominuar nga gratë, të cilat përbëjnë rreth 81% të fuqisë punëtore, ndërsa një pjesë e madhe e tyre punon me kohë të pjesshme. Edhe tek meshkujt, vetëm një pjesë punon me orar të plotë.
Në disa qytete të mëdha si Mynihu dhe Frankfurti, të huajt në sektorin e kujdesit madje tejkalojnë numrin e punonjësve gjermanë, duke reflektuar varësinë në rritje të sistemit shëndetësor nga migracioni i kualifikuar.
Megjithatë, disa vende si Bosnja dhe Hercegovina, Jordania dhe Vietnami kanë kufizuar bashkëpunimin me Berlinin për rekrutimin e stafit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore edhe në vendet e tyre.
Një raport i publikuar nga portali mediendienst-integration.de thekson gjithashtu se shumë punonjës të huaj përballen me vështirësi integrimi dhe diskriminim të përditshëm, ndërsa gjysma e tyre raportojnë eksperienca negative në vendin e punës.
Problematikat lidhen me procedurat e gjata për njohjen e diplomave, mungesën e politikave të integrimit dhe diferencat në paga, pasi shumë punonjës të huaj punësohen në shërbime më pak të paguara si kujdesi ambulator.






















