
Një anije luftarake e Marinës Mbretërore Britanike do të vendoset në Lindjen e Mesme për t’iu bashkuar një misioni ndërkombëtar që synon garantimin e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit. Lajmi është konfirmuar nga Ministria britanike e Mbrojtjes.
Sipas deklaratës zyrtare, shkatërruesi HMS Dragon do të dislokohet paraprakisht në rajon përpara nisjes së çdo misioni të ardhshëm shumëkombësh, i cili synon mbrojtjen e anijeve ndërkombëtare gjatë kalimit nëpër Hormuz, sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.
Ministria e Mbrojtjes theksoi se vendosja e HMS Dragon është pjesë e një planifikimi të kujdesshëm për të garantuar gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar në kuadër të një koalicioni shumëkombësh, të udhëhequr së bashku me Francën.
Koalicioni synon të sigurojë lirinë e lundrimit dhe mbrojtjen e transportit ndërkombëtar në një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë, në një kohë tensionesh të larta në rajonin e Gjirit Persik.






















