Ministria italiane e Shëndetësisë ka aktivizuar “mbikëqyrjen aktive” për katër pasagjerë që ndodheshin në bordin e një fluturimi të KLM-së me destinacion Romën, ku për disa minuta kishte hipur edhe një grua e infektuar me hantavirus, e cila më pas u shtrua në Johannesburg dhe ndërroi jetë.
Bëhet fjalë për katër persona rezidentë në Kalabri, Kampania, Toskanë dhe Veneto, të cilët kishin pasur kontakt me gruan e ndjerë. Autoritetet italiane kanë marrë të dhënat e tyre dhe ia kanë përcjellë rajoneve përkatëse për të nisur monitorimin “në emër të kujdesit maksimal”.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë identifikuar edhe një grua në Katalonjë që kishte pasur kontakt me shtetasen holandeze në bordin e anijes turistike “Mv Hondius”, ku u regjistrua shpërthimi i hantavirusit.
Pasagjerja holandeze ishte zbritur nga avioni i KLM-së më 25 prill, para nisjes nga Johannesburgu drejt Holandës, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ajo vdiq një ditë më vonë në një spital në Afrikën e Jugut.
Sipas të dhënave të deritanishme, shpërthimi në bordin e anijes ka shkaktuar tre viktima dhe tetë persona të infektuar, gjashtë prej të cilëve janë konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Autoritetet spanjolle raportojnë gjithashtu se një tjetër grua nga Alicante, e cila kishte qenë në të njëjtin fluturim me viktimën holandeze, është shtruar në spital me simptoma të pajtueshme me hantavirusin.
Ndërkohë është lokalizuar edhe një shtetase e Afrikës së Jugut, e cila kishte pasur një kontakt të shkurtër me të infektuarën gjatë fluturimit dhe më pas kishte kaluar një javë në Barcelonë. Ajo është kthyer tashmë në vendin e saj dhe nuk paraqet simptoma të virusit.






















