
Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar sërish këtë të premte, pasi ushtria amerikane bëri të ditur se ka goditur dy cisterna nafte me flamur iranian që po lundronin drejt një porti në Iran.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), një avion luftarak F/A-18 Super Hornet përdori municione precize për të goditur oxhaqet e dy anijeve cisternë, duke i nxjerrë jashtë funksionit përpara se të mbërrinin në një port iranian në Gjirin e Omanit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, CENTCOM pretendoi se anijet po “thyenin bllokadën e vazhdueshme të SHBA-së”.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Fars News raportoi se që prej orës 13:00 janë regjistruar përplasje sporadike mes forcave amerikane dhe atyre iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme strategjike për transportin botëror të naftës, ndërsa marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë hyrë në një fazë të re tensioni gjatë javëve të fundit.
Kjo ngjarje ndodh në një moment kur administrata e Donald Trump ende pret përgjigjen e Iranit lidhur me propozimin amerikan për armëpushim dhe nisjen e negociatave për përfundimin e konfliktit në rajon.






















