Një skenar i pazakontë mund të bëjë që plot 10 skuadra të Premierligës, pra gjysma e kampionatit, të sigurojnë pjesëmarrjen në garat evropiane sezonin e ardhshëm.
Me më pak se tre javë nga fundi i sezonit, lufta nuk është vetëm për titullin mes Arsenalit dhe Manchester Cityt, por edhe për vendet që të çojnë në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Aktualisht, pesë skuadrat e para në renditje sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa vendi i gjashtë dhe i shtatë kualifikohen respektivisht për Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Megjithatë, ky numër mund të rritet ndjeshëm.
Një nga skenarët më të përfolur lidhet me Aston Villën. Nëse skuadra përfundon në vendin e pestë dhe njëkohësisht fiton Ligën e Evropës, atëherë edhe vendi i gjashtë në Premierligë mund të sigurojë një biletë shtesë për në Champions League, duke e çuar numrin e ekipeve angleze në elitën evropiane në gjashtë.
Gjithashtu, FA Cup mund të ndikojë ndjeshëm në shpërndarjen e vendeve evropiane. Nëse Manchester City e fiton trofeun, ose Chelsea triumfon dhe përfundon mes shtatë ekipeve të para, atëherë vendi i shtatë do të çonte në Ligën e Evropës dhe vendi i tetë në Ligën e Konferencës.
Skenari bëhet edhe më i jashtëzakonshëm nëse Nottingham Foresti fiton Ligën e Evropës dhe Crystal Palace triumfon në Ligën e Konferencës, pa u renditur mes shtatë ose tetë vendeve të para në kampionat.
Në këtë rast, Nottingham Forest do të siguronte një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa Crystal Palace një vend në Ligën e Evropës, duke bërë që plot 10 skuadra angleze të luajnë në Evropë sezonin e ardhshëm një situatë thuajse e paprecedentë në historinë e Premierligës.






















