Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përmes një reagimi ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen finale mes Kosovës dhe Turqisë që do të luhet të marten në stadiumin Fadil Vokrri.
Duke falënderuar të gjithë ata që tashmë kanë blerë bileta, FFK njoftoi se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të organizojë aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin finalen Kosovë-Turqi përmes ekraneve gjigande, pasi interesi për këtë ndeshje ka tejkaluar kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”.
FFK ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të tifozëve, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, duke veçuar numrin e madh të qytetarëve që udhëtuan drejt Sllovakisë për ta mbështetur Kombëtaren.
Në të njëjtën kohë, FFK ka shprehur keqardhje që nuk mund t’i përgjigjet interesimit të jashtëzakonshëm për prezencë në stadium, duke theksuar se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion.
Sipas Federatës, një pjesë e biletave janë të rezervuara për tifozët, mysafirë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare, si dhe për partnerët, ndërsa numri i tyre ka qenë i kufizuar.
Reagimi plotë:
Federata e Futbollit e Kosovës shpreh mirënjohjen më të sinqertë për të gjithë ata që besojnë dhe e mbështesin pandërprerë Kombëtaren tonë. Përkrahja e jashtëzakonshme nga qytetarët, si në vend ashtu edhe në diasporë, përfshirë edhe numrin e madh të atyre që udhëtuan drejt Sllovakisë, është dëshmi e lidhjes së fortë dhe të përhershme me fanellën dardane.
Duke qenë se interesi për ndeshjen finale Kosovë – Turqi tejkalon kapacitetin e stadiumit, Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, do të organizojë aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku përmes ekraneve gjigante qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë përballje historike.
Qëllimi është krijimi i një atmosfere gjithëpërfshirëse, ku secili tifoz të ndjejë emocionin dhe krenarinë e përkrahjes ndaj Kombëtares së Kosovës.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që siguruan biletat për këtë ndeshje, edhe në një fazë kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse do të bëhej fjalë për një finale apo një ndeshje miqësore, një dëshmi kjo e besimit dhe dashurisë së madhe ndaj ekipit dardan.
Në të njëjtën kohë, shprehim keqardhje për pamundësinë që t’i përgjigjemi interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të tij.
Andaj, edhe një herë njoftojmë opinionin publik se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion. Një pjesë e tyre janë të rezervuara për tifozët mysafirë, sipas obligimeve ndërkombëtare, si dhe për partnerët, ku edhe këtë herë numri ka qenë tejet i kufizuar.
Federata është e obliguar t’u përmbahet rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat nuk lejojnë tejkalimin e kapacitetit të regjistruar zyrtarisht të stadiumit, prandaj nuk ekziston asnjë mundësi për tejkalim të numrit të përcaktuar të biletave.
Me besimin dhe shpresën se kjo ndeshje do të kurorëzohet me sukses, synimi ynë i përbashkët mbetet që festa e futbollit të shtrihet në çdo cep të vendit.
Prandaj, ftojmë qytetarët që mbështetjen për djemtë dardanë ta japin nga sheshet, por edhe nga shtëpitë e tyre. Përkrahja e tyre ndjehet kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
Të bashkuar për suksesin historik!
Forca Kosovë!






















