Ëndrra për kualifikimin në Botëror është mbyllur për Shqipërinë, që u mposht me rezultatin 2-1 nga Polonia në Varshavë. Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh dhe zhvilluan një pjesë të parë pozitive, por nuk arritën të ruanin epërsinë në fraksionin e dytë të lojës.
Festa kuqezi shpërtheu në minutën e 43-të, kur Arbër Hoxha realizoi një gol të bukur pas një aksioni të ndërtuar mirë. Topi u rikuperua nga Mitaj, më pas Ismajli shërbeu me një pasim të gjatë, ndërsa Hoxha shmangu portierin vendas dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Shqipërisë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të kuqezinjve.
Në fillim të pjesës së dytë, Shqipëria pati një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat me Bajramin, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit. Ky moment rezultoi vendimtar, pasi Polonia reagoi duke rikthyer baraspeshën në minutën e 63-të. Robert Lewandowski përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen shqiptare dhe shënoi golin e barazimit.
Kuqezinjtë tentuan të reagojnë dhe krijuan një tjetër rast të mirë me Pilos, por goditja e tij u ndal nga portieri polak. Ndërkohë, vendasit përmbysën gjithçka në minutën e 73-të, kur Piotr Zieliński finalizoi një aksion të shpejtë, duke kaluar Poloninë në avantazh 2-1.
Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, Shqipëria nuk arriti të rikthehej në lojë, duke i dhënë fund kështu shpresave për një vend në Botëror.






















