
Shqipëria do të ndeshet me Poloninë më 26 mars, në kuadër të Play-Off të Botërorit. Megjithatë, tifozët ultras të kombëtares, të njohur si ‘Tifozët Kuqezi’ (TKZ), kanë shprehur pakënaqësi për mënyrën se si Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë biletat për ndeshjen që do të zhvillohet në Varshavë. Sipas tyre, duket se stadiumi nuk do të ketë vend për tifozët e vërtetë, por për miq, klientë apo turistë, një vendim që TKZ e konsideron të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë.
Në një postim të tyre, TKZ nënvizon se ky përjashtim nuk është rastësi, por pasojë e qëndrimeve kritike që ata kanë mbajtur më parë ndaj Federatës, veçanërisht për organizimin e Euro 2027 me Serbinë.
“Edhe këtë herë, tribunat nuk do jenë si gjithmonë… jo sepse mungon dashuria për Kombëtaren, por sepse dikush ka vendosur me vetëdije ta heshtë zërin e saj më të zjarrtë,” shkruajnë tifozët.
Sipas tyre, për Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka rëndësi kush e ndjen me zemër fanellën, por kush ka lidhje, kush është “i duhuri” dhe kush kalon nga dera e pasme.
TKZ shtojnë se biletat janë të disponueshme, por kryesisht për miq, klientë apo turistë. Madje, agjencitë turistike kanë nisur prej javësh ofertat promovuese për Varshavën, duke përfshirë edhe biletën e ndeshjes në paketat e tyre.
“Atëherë lind një pyetje shumë e thjeshtë: ku i morën këto bileta? Pse për ata që e kanë mbajtur këtë ekip gjallë, me zë e me shpirt, nuk ka? Ky përjashtim nuk është rastësi. Është pasojë e qëndrimit tonë. Sepse ne nuk heshtëm dhe kundërshtuam hapur organizimin e Euro 2027 me Serbinë. Dhe sot, çmimi i asaj kundërshtie është ky, përjashtimi,” shprehen tifozët.
Ata theksojnë se stadiumi nuk është thjesht beton dhe karrige, por zë, zemër dhe zjarr.
“Ky zjarr nuk mund të kontrollohet me lista. Këtë herë, nuk do mungojmë vetëm ne… do mungojë atmosfera, do mungojë pesha e çdo brohoritjeje, do mungojë ajo ndjenjë që e bën Kombëtaren më shumë se një ekip”, shkruajnë TKZ.
Ata paralajmërojnë se kur të bjerë heshtja e ftohtë në tribunë dhe kënga të shuhet aty ku dikur digjej zjarr, do të kuptohet se më shumë do të ndihet mungesa e tyre sesa prania e të tjerëve.
Megjithatë, tifozët nënvizojnë se fanella mbetet mbi gjithçka. Ata i urojnë kombëtares fitore, duke theksuar se largësia e tyre nuk është zgjedhje, por një “zgjidhje” e Federatës Shqiptare të Futbollit, që sipas tyre ka vendosur të shpërndajë vendet sipas interesave dhe jo sipas pasionit të tifozëve. TKZ përfundon duke theksuar se ata janë zëri dhe zemra e kombëtares, dhe pa ta, stadiumi mbetet vetëm një strukturë fizike, pa shpirt dhe pa atmosferë.






















