Në Are të Suedisë këtë të dielë u zhvillua gara e Slalomit për Kupën e Botës në Skitë Alpine për vajza. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, u rendit në vendin e tetë, 2 sekonda e 09 të qindtat pas kampiones amerikane të kësaj gare, Mikaela Shiffrin. Në podium edhe Emma Aicher e Gjermanisë dhe Wendy Holdener e Zvicrës.
19-vjeçarja e mbylli në vendin e gjashtë lëshimin e parë, duke e ndalur kronometrin me kohën 51 sekonda e 26 të qindtat, teksa lëshimi i dytë nuk solli atë që duhej për podiumin. Lara u rendit e 22-ta në zbritjen e dytë me kohën 54 sekonda e 18 të qindtat, ndërsa në total me kohën 1 minutë, 45 sekonda e 44 të qindtat u rendit në vendin e 8-të.
Të shtunën në Slalomin Gjigant skiatorja italo-shqiptare u rendit në vendin e 7-të. Më herët gjatë këtij sezoni Lara ka siguruar katër podiume, dy vende të dyta (Levi dhe Gurgl) dhe dy vende të treta (SHBA dhe Semmering).
'Mbretëresha' Mikael Shiffrin - Amerikania fitoi garën e 109-të në karrierë, teksa 14 vite më parë, kur ishte vetëm 17 vjeç kishte siguruar fitoren e parë në karrierë, pikërisht në pistën e Are të Suedisë. Dhjetë fitore ka 31-vjeçarja në këtë pistë.
Javën e ardhshme Kupa e Botës për Skitë Alpine ka ndalesën e fundit të sezonit, në Lillehammer të Norvegjisë.






















